Do luante në një tjetër klub belg, ja prapaskena me Abazajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2018 | 22:53

Do luante në një tjetër klub belg, ja prapaskena me Abazajn

“Anderlehti bleu lojtarin më të talentuar të Ballkanit, por pothuajse e humbi atë në një klub tjetër belg”. Kështu shkruante dje portali i njohur në Belgjikë, “nieuwsblad.be”, duke iu referuar transferimit të bujshëm të sulmuesit të Luftëtarit, Kristal Abazaj, tek Anderlehti. Mediat belge kanë zbuluar dje prapaskenën për lojtarin që u bë në muajin janar pronë e Skënderbeut.

abazaj

Abazaj ka qenë një hap larg transferimit te klubi tjetër i Superligës belge, KV Meshelen, që aktualisht lufton për mbijetesë. 21-vjeçari dukej i destinuar për të shkuar në kampionat belg gjatë muajit janar, atëherë kur Skënderbeu i bëri ofertë zyrtare Luftëtarit për blerjen e kartonit. “Menaxherët e Abazajt kishin siguruar transferimin e lojtarit te Meshelen nëpërmjet disa ndërmjetësve në Belgjikë, por atëherë kur dukej se gjithçka ishte e mbyllur, marrëveshja dështoi.

Meshelen ishte gati të paguante 250 mijë euro për kartonin, por bëri prapakthehu. Tre muaj më pas, drejtori i klubit të Anderlehtit, Luk Devro, zbulon se në kampionatin shqiptar ka një të ri të talentuar, që ka luajtur tetë ndeshje me Kombëtaren U-21. Bëhet fjalë për një ‘diamant’, për të cilin drejtori i Anderleht është i bindur se do të shkëlqejë. Ai mund të përshtatet në të gjitha pozicionet e sulmit”, citohej në shkrimin për Abazaj.

OFERTAT

Për 21-vjeçarin ka qenë i interesuar edhe klubi i madh turk, Gallatasarai. “Panorama Sport” mëson se agjentët e skuadrës nga Stambolli kanë folur zyrtarisht me drejtuesit e Skënderbeut për një transferim të mundshëm të lojtarit. Mirë- po, me kalimin e ditëve, interesimi i turqve u zbeh, pasi siguruan një tjetër moshatar të Abazajt dhe kaluan në plan të dytë shqiptarin. Gazeta mëson gjithashtu se gjatë kësaj periudhe ka pasur ofertë zyrtare për Abazajn edhe nga dy klube belge krahas Anderlehtit. Bëhet fjalë për Zulte dhe Antverp. Gjithashtu janë interesuar klubet holandeze, Fejnord dhe Viteshe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"