“Do ketë ndryshime në formacion”, Novi: Asgjë për të humbur, Luftëtari e mposht Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2020 | 8:44

“Do ketë ndryshime në formacion”, Novi: Asgjë për të humbur, Luftëtari e mposht Laçin

Neritan Novi ulet për herë të dytë në stolin e Luftëtarit. Fillimisht atij iu besua pankina në fund të muajit dhjetor, ku bashkë me Dritan Kristidhin arritën të drejtonin skuadrën në ndeshjet ndaj Skënderbeut dhe Bylisit, teksa fituan me korçarët 2-0 dhe humbën në Ballsh 1-0. Në konferencën e djeshme për shtyp në prag të sfidës me Laçin, Novi paralajmëroi se sot do të bëjë disa ndryshime, teksa pret fitoren.novi

Çfarë do të ndryshoni në ekip?

Ekipin e njoh shumë mirë, pasi kam një kohë shumë të gjatë që po e stërvit. Grupin e kemi të plotë dhe lojtarët kanë punuar mirë gjatë kësaj jave. Do të bëj tri-katër ndryshime në formacion. Nuk lejoj asnjë të tallet me fanellën e Luftëtarit, pasi është shumë e rëndë.

A ka mundësi Luftëtari të mposhtë një ekip si Laçi?

Çdo trajner dëshiron që ta fitojë ndeshjen e parë në pankinë. Unë këtë e kam treguar edhe në muajin dhjetor, kur mundëm Skënderbeun në Gjirokastër. Luftëtari i ka të gjitha mundësitë që ta mundë Laçin. Luajmë në fushën tonë dhe presioni nuk do jetë mbi ne, por mbi kundërshtarin. Kjo është një ndeshje ku janë të pranueshme të tria rezultatet.

Si ju janë përgjigjur lojtarët në këto ditë stërvitje para Laçit?

Unë jam përpjekur gjatë gjithë javës me stafin për ta përgatitur sa më mirë këtë ndeshje. E njoh kundërshtarin dhe mendoj se me grupin e lojtarëve që kam do ta përballojmë me sukses. Sa herë që vjen një trajner i ri, te lojtarët ka një angazhim gjithmonë për të dhënë më të mirën.

Jeni shumë të shkëputur me vendin që mund të luani një ndeshje shtesë për mbijetesën. Besoni se mund të ndodhë një mrekulli?

Pse jo, shpresa vdes e fundit. Ne do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund, duke qenë seriozë në çdo ndeshje dhe duke marrë maksimumin e mundshëm.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"