“Dua të shënoj ndaj Skënderbeut”, Bregu: Teuta, ende në lojë për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 21:14

“Dua të shënoj ndaj Skënderbeut”, Bregu: Teuta, ende në lojë për titullin

Teuta mbetet një kockë e fortë për këdo, por vështirësia që ka hasur në dy fazat e para të kampionatit për të gjetur golin apo pikët e shumta që kanë lënë rrugës, hera-herës e turbullojnë ambientin durrsak. Edhe fitoren me Apoloninë e vulosi një mbrojtës. Për këtë arsye vëmendjen e merr sulmi, që ende nuk ka mundur të jetë produktiv sa duhet. Dejvi Bregu, një nga afrimet më të bujshme të durrsakëve gjatë verës që shkoi, mendon se Teuta i ka lënë pas hapat falas të dy fazave të para dhe do të jetë më e fortë në gjysmën tjetër të kampionatit.

bregu

Në një intervistë për “Panorama Sport” fantazisti vlonjat foli për disa tema që shqetësojnë ekipin durrsak. Bregu pranoi se Teuta e ka të vështirë ndaj ekipeve që mbyllen në mbrojtje, siç ishte edhe rasti i ndeshjes me Apoloninë. Ai shpreson se kampionati tanimë do marrë një rrjedhë tjetër, me Teutën që është ende në garën për titullin kampion, edhe pse me 7 pikë nga vendi i parë. Sipas Begut, është momenti që të premten ndaj Skënderbeut skuadra të nisë një rrugë të suksesshme, duke marrë maksimumin.

Dejvi, së pari si ndiheni në Durrës dhe a jeni përshtatur si duhet?

Unë dua të falënderoj dy presidentët, stafin teknik, klubin në tërësi, për besimin dhe kohën që më kanë dhënë. Nga ndeshja në ndeshje kam ardhur në rritje dhe shpresoj që ndihma ime të konkretizohet me fitimin e titullit.

Ndaj Apolonisë fituat me shumë vuajtje. Fillimisht rrezikuat ju me një goditje, por portieri Harizaj iu mohoi golin. Më pas duhet të shënonte Hoxha që të merreshin 3 pikë…

Unë i pata mundësitë, por mund të them se Harizaj ishte më ditën e tij më të mirë dhe më tha JO te goli. Për fat të mirë më pas shënoi Hoxha.

Pse e ka kaq të vështirë për të realizuar ekipi juaj?

Ndeshje si ajo ndaj Apolonisë duhen zgjidhur shpejt, pasi siç dihet sa më shumë ikin minutat aq më shumë shtohet presioni. Nuk i kemi bërë gjërat ashtu siç prisnim, por unë kam besim se do të kemi një ecuri më të mirë në dy fazat e mbetura.

Çfarë i ka munguar më tepër Teutës deri më tani për të qenë me pikë në krye?

Ajo që na ka munguar është vazhdimësia, pasi nëse do kishim marrë pikë në barazimet radhazi, sidomos në shtëpinë tonë, nuk do flisnim për këtë renditje. Por, futbolli i ka të gjitha. Shpresoj që kampionati të marrë tashmë një rrjedhë tjetër.

Dejvi Bregu Teuta

Në sezonet e fundit keni shënuar më shumë gola në dy fazat e para, ndërsa te Teuta vetëm katër. Mos i keni lënë për gjysmën e mbetur të kampionatit?

Kam pasur vështirësi në fillim sepse edhe përshtatja ka bërë të vetën. Por, nga ndeshja me Partizanin ka ardhur në rritje niveli, ndërsa tashmë shpresoj që të vijnë edhe golat, në mënyrë që të vlejnë për ekipin.

Çfarë ndjesie është të luani kundër Skënderbeut?

Normale që në Korçë kam kaluar dy vite shumë të mira dhe është një fanellë e rëndë. Më vjen keq për situatën ku ndodhet Skënderbeu dhe shpresoj të ngjitet lart, por pas ndeshjes me Teutën. Unë jam profesionist dhe luaj për Teutën kështu që do kërkoj të shënoj.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"