“Do kemi një Kombëtare veteranësh”, rrëfehet Shulku: Isha trajner i shokëve të mi, ja si u sollën futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 8:50

“Do kemi një Kombëtare veteranësh”, rrëfehet Shulku: Isha trajner i shokëve të mi, ja si u sollën futbollistët

“Isha trajner i shokëve të mi”, shprehet ndër të tjera Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili dje ishte përzgjedhur për të drejtuar ekipin “Golden Team” të përfaqësueses kuqezi. Në një intervistë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Shulku tregon ndjesinë në dhomat e zhveshjes, përgjigjet për komentet e shumë legjendave që mbetën jashtë, mundësinë për të pasur edhe në vazhdimësi një ekip kuqezi që bashkon brezat.Shulku

HUMANIZMI PËR TËRMETIN “Mendoj se u arrit qëllimi për të cilin u organizua kjo ndeshje, sepse, siç u pa, ishte një numër i konsiderueshëm që kishin ardhur në stadium për të mbështetur këtë kauzë. Sindikata e kishte organizuar këtë event. Federata, në ndihmë të zonave të prekura nga tërmeti, e dini që ka ndërmarrë një nismë tashmë të bërë publike. Kemi marrë përsipër rindërtimin e 3 shtëpive në mënyrë të plotë. E para ka nisur. Të gjithë shqiptarët realisht kanë qenë bashkë për këtë kauzë. Në rastin e sotëm, sindikata ka qenë në bashkëpunim me federatën për të dhënë kontribut. Mendoj se ka qenë një gjë shumë e mirë dhe shumë pozitive”.

STOLI I KOMBËTARES “Pyetje e vështirë për të treguar ndjesinë që të jep drejtimi i një ekipi kombëtar shqiptar. Megjithatë, realisht unë isha trajner i një ekipi, pjesë e të cilit ishin shokët e mi. Është i gjithë brezi që unë kam luajtur me ekipin përfaqësues dhe normalisht që ishte kënaqësi. Një ndjenjë tjetër, emocion i veçantë”.

DHOMAT E ZHVESHJES “Deri në momentin kur kemi hyrë në stadium, kemi qenë në një ambient humori siç kemi pasë bërë gjithmonë. Gallata, humor dhe ndjesia e bukur kur takohet një grup i madh shokësh pas disa kohësh mungesë me njëri-tjetrin. Gjithmonë ke nostalgji për kohën e kaluar. Sapo hymë në dhomat e zhveshjes dhe nisa të flas për ndeshjen, ka qenë vërtet gjithçka superprofesionale dhe për këtë dua t’i falënderoj të gjithë çunat. U sollën të gjithë si profesionistë dhe u bë çdo gjë pothuajse ‘zyrtare’. Dëgjuan çfarë thashë për mënyrën e lojës dhe mendoj se ia arritëm qëllimit sepse luajtëm mirë”.

ANKESA PËR FORMACIONIN “Para ndeshjes, kishte edhe ndonjë kërkesë apo ankesë për formacionin, sigurisht në kuadrin edhe të batutave dhe humorit. Mirëpo, sapo erdhëm në stadium, e pranuan të gjithë që për aq minuta sa do të kontribuonin, të jepnin më të mirën. Mendoj se e dhanë”.

KRITIKAT PËR LISTËN “Realisht nuk kam koment për kritikat e bëra për listën, sepse presidenti i Sindikatës së Futbollistëve e ka deklaruar që ajo është përpiluar prej saj. Nuk kemi qenë pjesë e listës. Pa diskutim që duhet dhe mund të kishte emra të tjerë në këtë ekip, njerëz të cilët kanë kontribuuar. Ka pasur lojtarë të tjerë që kanë kontribuuar edhe më shumë, ndoshta edhe breza të tjerë.

Për pjesën e fushës, sindikata ka menduar këtë grup dhe më zgjodhi mua si trajner, ndoshta edhe duke pasur parasysh faktin që kam qenë pjesë e këtij ekipi si dhe që e kam bërë edhe rolin e trajnerit. Për kauzën që u organizua ky aktivitet, mendoj se nuk do të ishin të mira këto qejfmbetje, sepse në fund të fundit do të duhet të ishin në fushë 20 apo më shumë veta. Kur flasim për Kombëtaren, ka shumë e shumë lojtarë që kanë dhënë kontribut, nga ky brez apo edhe në moshë shumë më të madhe. Mendoj se të gjithë do të jenë pjesë e ndeshjeve të ardhshme.

KOMBËTARJA E VETERANËVE “Patjetër që do ta kemi një të tillë. E kemi nisur këtë nismë, jo me rastin e këtij eventi. Unë e kam organizuar një mbledhje për këtë arsye, kemi ngritur një staf dhe kemi rënë dakord që një ekip i tillë kombëtar do të stërvitet dy herë në javë. Të kemi në vazhdimësi një ekip që do të na përfaqësojë edhe në aktivitete jashtë vendit ku mund të jemi të ftuar”.

SHULKU TRAJNER I SAJ “Jo, kjo është e sigurt që jo!”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"