Do gjykojë në Botëror, gjyqtari shqiptar: Realizova ëndrrën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2019 | 22:04

Do gjykojë në Botëror, gjyqtari shqiptar: Realizova ëndrrën…

Gentian Cici do të bëhet gjyqtari i parë nga Shqipëria që do të arbitrojë në një kampionat botëror në basketboll. Arbitri 38-vjeçar do të jetë pjesë e Botërorit të meshkujve “Kinë 2019” që do të mbahet këtë verë në shtetin aziatik.

Basketboll-Genti-cici-me-tuta

Cici ka drejtuar në ndeshje të shumta ndërkombëtare dhe pas arbitrimit në fazën finale të kampionatit europian në 2017-ën, tashmë ai do të jetë edhe në kompeticionin më të rëndësishëm botëror të sportit të koshit. Me profesionalizmin dhe paraqitjet e tij, Cici duket gjithashtu në rrugë të mbarë edhe për t’u përzgjedhur në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gentian Cici rrëfen se ky është momenti më i rëndësishëm në karrierën e tij. Ai gjithashtu tregon edhe për eksperiencat e tij në ndeshjet e tjera ndërkombëtare, flet për kolegët dhe basketbollin shqiptar.

Si u ndiet kur morët lajmin se do të jeni pjesë e një kompeticioni kaq madhor siç është kampionati botëror? E prisnit?

Të them të drejtën, u emocionova pasi është kurorëzimi i viteve të tëra pune dhe kisha shumë besim për këtë emërim timin. Thjesht është realizimi i një ëndrre.

Basketboll-Genti-cici-Bilbao-3-pike

Ka arbitra të tjerë nga kampionati shqiptar që mund të arrijnë në këto evente kaq  të rëndësishme?

Nuk jam në gjendje të them nëse ka apo jo, por një gjë është e sigurt, që me punë arrihet çdo gjë.

A i përgjigjet kampionati shqiptar nivelit të arbitrave?

Kampionati shqiptar i përgjigjet nivelit të arbitrave. Mendoj se këtë vit është bërë një punë e mirë. Megjithatë, ka akoma vend për përmirësim.

Basketboll-Genti-cici-ne-eurolige1

Ju keni gjykuar ndeshje të shumta ndërkombëtare, cila ju ka lënë më shumë mbresa?

Mendoj që çdo ndeshje është një histori më vete. Kështu që çdo sfidë ka mbresa të ndryshme.

A mund të quhet ky momenti më kulmor në karrierën tuaj?

Natyrisht, kjo është pika më e lartë e karrierës sime. Nuk ka vend për dyshime. Unë kurrë nuk kam pasur frikë nga askush dhe mbi të gjitha nga sfidat. Do vazhdoj të jap maksimum tim dhe kontributin për basketbollin shqiptar, si në fushë ashtu dhe jashtë saj.

Ku është më vështirë për të arbitruar, në një sfidë të rëndësishme në Shqipëri apo në një ndeshje ndërkombëtare?

Në vendin tënd gjërat janë më ndryshe, pasi njihesh me të gjithë dhe normalisht ndryshojnë shumë gjëra, madje dhe niveli është i ndryshëm.

Ku kontestohon më shumë vendimet, këtu apo jashtë?

Kontestime ka si këtu edhe në ndeshjet ndërkombëtare, por këtu në Shqipëri e ekzagjerojmë pak.

A keni ndonjë mesazh për arbitrat e tjerë shqiptarë?

Arbitrave shqiptarë mund t’u them se nuk është kurrë vonë për të realizuar ëndrrat dhe ka vetëm një mënyre vetëm me punë.

Po për lojtarët?

Ndërsa për lojtarët dua të them se disa prej tyre janë heronj, pasi detyrohen të punojnë paradite dhe me pas vijnë në basketboll dhe japin gjithçka. Janë vërtetë për t’u admiruar.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"