“Do e lejoja që Shezni e Rabio të kapeshin me grushta”, turfullon trajneri Alegri: Specia-Juve, duel për mbijetesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 14:13

“Do e lejoja që Shezni e Rabio të kapeshin me grushta”, turfullon trajneri Alegri: Specia-Juve, duel për mbijetesë

Juventusi udhëton në La Speciai i dëshpëruar për të gjetur fitoren e parë në kampionat. Bardhezinjtë pas katër ndeshjeve të para kanë ngrirë në kuotën e 2 pikëve dhe ndaj skuadrës së ish-interistit Tiago Mota duhet me patjetër që të shkundin themelet e klasifikimit aktual, ndonëse edhe momenti siç pranon vetë në konferencë Masimiliano Alegri nuk është aspak i lehtë:

Juventus tensioni

“Të vazhdosh të flasësh nuk ndihmon, tani duhet fituar edhe pikë. Kishte 60 vite që Juventusi nuk kishte 2 pikë pas 4 ndeshjeve të para dhe situatën tonë aktuale e konfirmon saktësisht edhe renditja që kemi. Tani është e kotë që të themi se cilët janë objektivat tanë, por duhet marrë me çdo kusht fitorja e parë”, bëri hyrjen e tij trajneri bardhezi, në konferencën për shtyp.

Alegri, cila është gjendja aktuale e skuadrës?

Me Specian do të bëj disa zëvendësime, pasi po luhet çdo tri ditë dhe duket qartë se forma nuk është ende maksimale. Kielini mungon, pasi ka temperaturë. Morata ka rikuperuar pas goditjes në gju ndaj Milanit, ndërsa në La Specia do të jenë titullarë Kieza dhe De Ligt. Me ne nuk do të udhëtojnë as Artur e Kaio Zhorzh, ndonëse do të nisin stërvitjen e plotë pas pauzës së kombëtareve.

Çfarë rreziqesh mund të sjellë Specia?

Ato janë një skuadër pa frikëra. Luajnë pa shqetësimin se duhet të bëjnë rezultat ndaj nesh dhe kjo i bën më të rrezikshëm, fizikisht dhe akoma më shumë psikologjikisht. Pastaj dukeparë se sa shumë gabojmë në pjesët e dyta, ky fakt mund të na shtojë shumë presion dhe nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, aq më tepër që do të luajmë edhe përballë publikut rival.

Çfarë i mungon kësaj Juveje nga ajo e 5-vjeçarit në aventurën e parë tuajën?

Shumë ndryshime, por tani unë dua vetëm fitoren e parë dhe asnjë fjalë më shumë sesa këto krahasime apo tema të tjera.

Pas Juve-Milan ju pamë të shfrynit: “Dhe këta duan të luajnë për Juventusin”.  Çfarë nënkuptonit me atë?

Nuk jam prej hekuri, por jam njerëzor edhe unë. Nuk më pëlqyen shumë gjëra, sidomos nga ato që presin nga stoli që të hyjnë në fushë. Unë nuk dua që kur të bëj një zëvendësim të shoh një skuadër që të luajë me 10 lojtarë, pasi kështu bëmë ne ndaj Milanit, pas zëvendësimit të parë. Tani për më shumë, luhet me 16 lojtarë, jo më me 14 (duke iu referuar faktit që numri i zëvendësimeve është rritur nga 3 në 5). Prandaj, unë pretendoj përgjegjësi nga ato që presin nga stoli të zbresin në fushë.

Sëmundja e kësaj Juveje duket rënia e rendimentit në pjesët e dyta. Jeni dakord besoj?

Kam riparë ndeshjen e aë dielës me shumë vëmendje: nga minuta e 45-të në të 55- ën kemi gabuar 8 topa elementarë, i dhuruam 8 topa Milanit. Duhet të kemi një menaxhim të mirë të topit. Përpara barazimit të tyre i kishim ne rastet e pastra potenciale për golin e dytë, por futbolli luhet edhe me episode dhe i paguan shtrenjtë edhe nëse je duke dominuar. Madje, mund ta humbnim një ndeshje që kryesonim vetëm në 15 minutat e fundit.

Rabio u kritikua shumë dhe shpërdoroi e gaboi. Cila është këshilla juaj?

Duhet të nisë të jetë më efektiv në zonën e golit, më i kthjellët dhe më i keq në fushë dhe sidomos përpara portës. Një me cilësitë e tij nuk mund të shënojë 3 gola në sezon, por të paktën 10- 12.

Lokateli u duk në rënie…

Futja e tij në ingranazhet e skuadrës po ecën shumë mirë. Është normale që duhet të nisë të gjejë një ekuilibër psikologjik dhe fizik për të luajtur shumë ndeshje radhazi.

Fundja, po flasim për njërin që asnjëherë në jetë nuk ka luajtur tri ndeshje në një javë, prandaj duhet të jetë skuadra që të nisë ta ndihmojë Lokatelin dhe jo vetëm Lokateli të vihet në dispozicion të skuadrës. Përpara se të vinte te Juventusi, Lokateli nuk kishte luajtur as në Ligën e Europës, ndërsa tani duhet të përballojë direkt edhe presionin e Champions-it. Është e kotë t’i vëmë kaq shumë barrë menjëherë mbi shpatulla, ndonëse unë jam i sigurt se nëse e shpërndajmë peshën e lojës te të gjithë ne, me personalitet në fushë, që të gjithë do ta kenë më të lehtë të japin më të mirën dhe kjo situatë mund të kalojë shpejt.

Kësaj Juveje i mungon edhe pak eksperiencë pasi skuadra ka vërtet elementë mjaft të rinj.

Mjaft me këtë punën e të rinjve sepse më ka ardhur në majë të hundës. Po flasim për një skuadër që ka lojtarë shumë të zotë. Ndoshta është e vërtet që dikush ka më shumë apo më pak eksperiencë, por ama këtë mund ta pranoj te një që është 18- vjeçar. Nuk mund të quash pa eksperiencë një futbollist prej 24 vitesh, pasi kjo moshë të bën që të hysh mes liderëve të ekipit.

Shezni dhe Rabio u panë në tension në momentin e golit, por ka raportime se debati verbal mes tyre vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes. E konfirmoni këtë?

Janë sqaruar dhe ju konfirmoj se nuk ka tension në skuadër. Një herë e një kohë ndodhnin edhe që lojtarët si Shezni apo Rabio të kapeshin me grushte dhe ndoshta ndonjëherë edhe këto gjëra të bëjnë mirë… Ne te Juventusi punojmë të gjithë që të bëjmë gjërat për mirë. Në episodin e golit të pësuar nga Milani gabuam si skuadër, askush më shumë apo më pak.

Tani, e vërteta… Sa janë shanset e Juves për titullin kampion?

Të flasësh tani për objektiva për të ardhmen e largët nuk ka sens. Ne duhet të përqendrohemi vetëm që të marrim fitoren e parë në kampionat, ta mundim Specian sepse nëse shohim renditjen, mes nesh dhe Specias do të jetë një duel për mbijetesë.

 

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"