“Do e doja Laçin me Starovën trajner”, Ardian Mema: Dua ta çoj projektin deri në fund, këto kohë na ka ndëshkuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 16:59

“Do e doja Laçin me Starovën trajner”, Ardian Mema: Dua ta çoj projektin deri në fund, këto kohë na ka ndëshkuar…

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, doli ditën e sotme në konferencë për shtyp para mediave, në vigjilje të ndeshjes që bardheblutë luajnë nesër në shtëpi ndaj Laçit.

ardian mema

Tekniku Mema foli për gjendjen e ekipit përpara një ndeshje të vështirë si kjo me kurbinasit, dhe u shpreh se shpreson që tashmë të mos e ndjekë më fati i keq, që sipas tij ka sjellë edhe disa momente shpërqëndrimi, duke lënë edhe pikë gjatë rrugës. Ja konferenca e trajnerit Mema:

Kush ka presion më shumë ju apo Laçi?

Si fillim po flas për veten, jo se nuk më intereson kundërshtari, por dëshiroj të flas për veten time. Ndeshjet e fundit kanë sjellë disi presione në skuadër  aq më tepër te unë, nuk flas në emër të skuadrës por në emrin tim. Kjo më ve mua disi në presion sepse pretendohet që ndeshjet e Tiranës të fitohen, duke qenë se këtë vit është ekip elitar. E rëndësishme është që të fitohen ndeshjet. Ekipi ka luajtur shumë mirë, nuk ka pasur probleme tekniko fizike dhe tekniko taktike. Thjesht nuk na ka ndihmuar edhe fati sepse, po t’i shikosh të treja ndeshjet që kemi lënë pikë. Kjo mendoj që ka ardhur nga kërkesa që ka një klub si Tirana për të mos lënë pikë në asnjë ndeshje. Megjithatë unë fajësoj fatin, pasi ekipi realisht ka luajtur mirë.  Ka kontrolluar lojën gjatë gjithë kohës, ka qarkulluar topin, duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të përqendruar, të gjithë bashkë, që të mos pësojmë ato gola që ekipi ka pësuar në këto ndeshje.

ardian mema

Kanë lënë shenjë në ekip dy humbjet e fundit dhe barazimi në Vlorë?

Ndonjëherë çdo njeri mendon edhe të mirën, edhe të keqen. Po flas si teknik, ekipi është shprehur goxha mirë në fushë. Me një anë të keqe mendore, dhe kur ke presion, nuk ndodh që të administrosh topin, të krijosh raste. Ndoshta edhe humbja e rasteve, apo kërkimi me çdo lloj forme, duke sakrifikuar gjithmonë, lojtarët nuk janë as të fokusuar para porte. Kjo mund ta ketë futur ekipin në presion, duke qenë gjithmonë primar rezultati, sepse në fund për këtë paguhemi.

I frikësoheni faktit që Laçi mund të jetë ndeshja juaj e fundit në krye të Tiranës?

Kjo pyetje më është bërë që pas ndeshjes me Kukësin, pasi ekipi pësoi humbjen e parë. Ndoshta te ky klub, gjërat bëhen pak tragjike. Ka edhe një të drejtë, edhe unë do kërkoja me insistim që Tirana të fitonte ndeshjet e të shpallej kampion. Kjo është pjesa që në klub janë nervozë, si edhe tifozët. Janë mësuar që gjithmonë të jenë me trego. Kjo është parë këtë vit, duke parë edhe se kemi qenë në vendin e parë. Janë lojtarë të spikatur në Shqipëri, dhe pritshmëritë janë të larta. Nëse do i marrim gjërat me qetësi dhe kujdes, ndodh që një klub ka një projekt, dhe unë e mendoj se projekti duhet çuar deri në fund. Pjesa tjetër, ku që ndeshjen e parë apo të dytë, ku diskutohet direkt kjo pyetje, do i bëjë dëm të gjithëve, edhe futbollistëve. Ndonjëherë jemi mundur edhe për gabime foshnjarake. Unë shoh lojën si teknik, kjo më intereson, si luan ekipi. Edhe po të luante keq dhe të fitonim në fund, do më interesonte. Një ekip nëse luan mirë, do i rikthehet fitoreve dhe do i kthehet ana psikologjike. Nëse nuk mbajmë topin dhe nuk luajmë mirë, kjo nuk të jep garanci për të ardhmen. Fakti që është edhe 100-vjetori i klubit, na vë pak në presion. Unë nuk jam magjistari apo profeti i futbollit, që të them se nesër do fitojmë, dhe do largohem kur të dua unë. Drejtuesit duhet të kuptojnë, se klubit i duhet qetësia. Duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nëse gjërat na dalin nga kontrolli, do kemi edhe probleme. Kemi qenë pushim këto kohë, tani do e shohim nesër në fushë.

ardian mema

Do e donit Laçin me Starovën trajner?

Nuk do thosha me Starovën apo dikë tjetër, por Laçi kishte një lloj fizionomie te loja e vet, dhe pak a shumë e dinim mirë. Sula e ka drejtuar Laçin që vjet, dhe e dimë si luajnë. Por, dimë edhe si luan Cungu. Do e kishim më të thjeshtë për ta përgatitur ndeshjen me Sulën. Çdo trajner i ri, ka edhe kërkesat e veta të reja. Do e kemi më të vështirë me Cungun nesër. Jo se ndryshon ana profesionale e tyre, por se dinim stilin e lojës.

Çfarë nuk shkon kur nuk vjen rezultati edhe me lojë të mirë?

Unë do bëj punën time, që ekipi të shprehet mirë në fushë, dhe të jetë dominues ndaj kundërshtarit. Ky është futbolli, ndoshta të gjëmon edhe disfata. Kur lë pikët, të vjen keq. Po të shohim 26 minuta me Partizanit, askush nuk mendonte se Tirana do pësonte dy gola për 5 minuta. Çdo gjë po fliste për ne. Pas ndeshjes i thashë lojtarëve, se nëse luani kështu, jeni mirë. Por, ndodhën ato gabime. Për këtë flas më shumë me lojtarët. Duke qenë se kemi pasur fatin e keq, duhet të kemi akoma më shumë përqendrim. Nuk kemi një kundërshtar që na ka mbajtur në fushën tonë. Fati është pjesë e lojës. Nuk duhet t’ia lëmë gjërat në dorë të fatit. Ca punë duhet t’i bëjmë akoma më mirë. Kjo nuk është për të justifikuar lojtarët, por për t’i vënë me këmbë në tokë që të jemi më të përqendruar. Jo me një rast sporadik, të na rrafë çdo ekip.

Ernest Muçi…

Jam munduar t’i jap minuta Nestit. Ndeshjen e fundit me Flamurtarit nuk i dhashë minuta, por pjesën dërrmuese të ndeshjeve, e kam futur nga stoli. A duhet klubi apo unë t’i japim më shumë minuta? Kjo është e drejtë. Edhe vjet jam munduar që ta fus. Kemi qenë edhe në situata të vështira për rënien nga kategoria. Mund ta fillojë edhe nga formacioni. Mendoj se gradualisht, duke marrë nga pak minuta, do bëhet lojtar formacioni, dhe të mos dalë më. Duke qenë se pikët janë me rëndësi, shpeshherë nisemi edhe me emocionet e pikëve, dhe t’i shohim gjërat me qetësi. Muçi nuk ka nevojë për përkrahjen time, sepse shumë shpejt do jetë pjesë e lojës. Ai duhet të bëjë përpjekje më të mëdha, që të na e mbushë mendjen që të jetë pjesë e formacionit.

ardian memaa

Gabimet…

Ekipi jonë duhet të ketë momentin si e lexon situtatën. Çunat e rinj kanë nevojë për minutat, që situatat e lojës të mos i rrëshqasin, por t’i lexojnë mirë. Kanë bërë gabime me lojtarë me eksperiencë, dhe kanë bërë gabime edhe të rinjtë. Atyre nuk është se i vendos faj. Kanë bërë gabime edhe lojtarët me eksperiencë. Por, nuk kanë qenë situata ku kundërshtarët po ndërtonin lojë, por thjesht me pasime të gjata. Duhet të kemi kujdes me leximet e situatave.

Rivalitet në Tirana-Laçi

Një vit kam këtu. Mendoj se ndeshjet me Laçin kanë qenë të forta. Është ekip me ekuilibër. Të godet në momente të caktuara, me lojtarë të mirë. Ky ekip, vjet e kemi pasur problem. Nuk është se na pritën miqësisht. U treguan të egër me ne. Ne nuk kemi armiq, por kemi kundërshtar. Çdo ndeshje e konsiderojmë kundërshtarin sipas radhës, por nuk i ndajmë, i mirë apo i fortë, në kuptimin e egërsisë. Laçi ka ekip të mirë dhe nuk duhet të kishte aq pikë sa ka. Nesër në ndeshje, do jetë e luajtur fort, shpresoj të kemi fat, e të mos pësojmë gola që nuk duhej t’i pësonim.

Në orën 17:00, më mirë për ju?

Normalisht. Është edhe më freskët, ka më tepër oksigjen. Luhet më shpejt. Dreka është disi problematike. Ndeshjet e ardhshme do i kemi në orën 1. Nuk është një orë që ka ritëm loja. Bie ritmi nga dielli, nga koha. Me lojtarët themi që koha apo dielli, është njësoj për të dyja, edhe fusha.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"