“Djalli” i avantazhuar, Alegri ka më shumë kampionë/ Nga forma tek idetë, Juventus-Milan në pesë… “lëvizje”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 9:20

“Djalli” i avantazhuar, Alegri ka më shumë kampionë/ Nga forma tek idetë, Juventus-Milan në pesë… “lëvizje”

Teksa presim ndeshjen e nesërme, le të analizojmë fillimin e sezonit të dy gjigantëve. Në pesë lëvizje, duke kaluar nga gjendja psikofizike në strategjitë teknike, Juve-Milan në një analizë të momentit të secilës.

AC Milan v Juventus - Serie A

FORMA: Juve 6 – Milan 6,5

JUVE

Juventusi pa vazhdimësi i këtij fillimsezoni shpjegohet gjithashtu me një gjendje fizike që ende nuk është optimale, çka nuk lejon qëndrueshmëri 90-minutëshe, siç kemi parë në të tria ndeshjet e kampionatit të luajtura deri më tani. Sidoqoftë, mbetet e vështirë të identifikohet kufiri midis limiteve atletike aktuale dhe organizimit të skuadrës e cila shfaqet shumë e brishtë.

MILAN

Kaloritë e lëna në terrenin e “Anfield” janë shumë, por gjendja fizike e kuqezinjve, pavarësisht shpenzimit energjik në Liverpul, mbetet e mirë. Pika orientuese mbetet ndeshja kundër Lacios: intensive, agresive, totale. Por edhe në Ligën e Kampioneve mjeshtëria e veprimeve të dy golave tregon që këmbët lëvizin me lehtësi. Por kini kujdes: në krahasim me Juven, Milani ka një ditë më pak pushim. Një detaj jo pak i rëndësishëm.

PSIKOLOGJIA: Juve 6,5 – Milan 7

JUVE

Fitorja në Ligën e Kampioneve, e para e sezonit, e kombinuar me portën e paprekur pas 17 ndeshjeve, ringren një Juve që po rritet në vetëdije dhe vetëbesim, pas vetëm një pike të fituar në tri ndeshje. Tani bëhet fjalë për t’i dhënë vazhdimësi trendit, duke e rilidhur ndjenjën me fitoren edhe në kampionat. Dhe vetëm një ndeshje e madhe duhet të dhurojë stimujt e duhur.

MILAN

Mund të kishte qenë një goditje shumë e fortë për t’u harruar. Por nuk ishte e tillë. Përtej dominimit anglez, i padiskutueshëm dhe pothuajse krejtësisht i pakundërshtueshëm, Milani u kthye nga Liverpuli me vetëdijen e këndshme se vuri në vështirësi një nga bukuroshet e Europës. I mundur, po, por edhe i forcuar në shpirt. Tri fitoret në kampionat – veçanërisht ajo kundër Lacios – ndihmojnë në aspektet e tjera: morali është i lartë dhe ideja e dërgimit të Juves në -11 pritet të ndikojë edhe më shumë.

LOJA: Juve 6 – Milan 7

JUVE

Bardhezinjtë, dukshëm, janë prapa në krahasim me Milanin, në fund të fundit Pioli ka dy sezone avantazh ndaj Alegrit, ndërsa Maksi, ndryshe nga cikli i tij i parë, nuk rifillon nga një ekip që është testuar tashmë, por nga një skuadër që duhet të riformatohet. Dhe deri tani trajneri ka ndryshuar lojtarë, skema dhe detyra, me mungesat e gjata të lojtarëve të kombëtareve që e ndërlikojnë detyrën e tij në momentin e verifikimeve.

MILAN

Milani ka lojë. Në Ligën e Kampioneve ende nuk është e mjaftueshme, por në Itali sigurisht që mund të jetë e mjaftueshme, siç na mësoi ndeshja praktikisht perfekte kundër Lacios. Presion i ashpër, rifitimi i topit në gjysmën e fushës kundërshtare, një qëndrim ofensiv edhe në situatat e avantazhit. Mbi të gjitha, manovra zhvillohet sipas punës së bërë gjatë javës. Dy golat kundër Liverpulit janë shembulli më i ndritshëm i kësaj që themi. Si doqoftë, është i nevojshëm pak më shumë cinizëm në njëzet metrat e fundit.

IDENTITETI: Juve 5 – Milan 7,5

JUVE

Eksperimentet, aq të nevojshme sa edhe të rrëmujshme, deri më tani e kanë penguar Alegrin që t’i japë një fytyrë apo një identitet ekipit. Nga fjalët nëpër dhëmbë të Kielinit (“Ne nuk jemi skuadër”) e tutje, Juvja vazhdon me hapa të vegjël, e nxitur nga përvoja e trajnerit të saj, i cili tashmë ka një urgjencë që nuk lejon shtyrje të mëtejshme. Ka ardhur koha për zgjedhje dhe për të gjetur një identitet të fortë dhe të qartë.

MILAN

Identiteti është një nga pikat më të mëdha në favor të Milanit këtë vit. Kuqezinjtë, ndryshe nga Juve (dhe Interi, Napoli, Lacio apo Roma) mund të vazhdojnë me punën e Piolit, e cila po jep fryte. Identiteti i grupit është i dukshëm, Milani është një ekip me tipare dalluese, i cili di të gjejë golin me veprime të ndërtuara dhe të arsyetuara.

VLERËSIMI I TË RINJVE: Juve 7,5 – Milan 7,5

JUVE

Juve fokusohet shumë te të rinjtë, dhe jo vetëm me fjalë. Klubi bardhezi gjithashtu e tregoi këtë në merkato, duke blerë 19- vjeçarin Kaio Zhorzh, 21- vjeçarin Ken dhe 23-vjeçarin Lokateli, sa për të dhënë disa emra. Këta të fundit sigurisht nuk janë përjashtim, duke menduar tashmë protagonistët Kulusevski (21), De Ligt (22), Kieza dhe MeKeni (23). Për të mos u harruar edhe djemtë e akademisë (Mireti, Sule apo De Vinter) të afruar në orbitën e ekipit të parë.

MILAN – Rinia, guri themeltar i projektit të “Elliott”. Amerikanët, me kalimin e kohës, u detyruan të bënin disa përjashtime duke afruar edhe veteranë. Por, në thelb, vëmendja për nën 25-vjeçarë është maksimale. Përmirësimi është një tjetër nga misionet e Milani. Tonali dhe Leao janë emblemat e këtij procesi, por ka shumë të tjerë: Tomori, Hernandez, Kalabria, Benaser, Selemekers. Lojtarët që po rriten në fushë dhe në karton.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"