“Djajtë” rekordmenë, Liverpuli kampionia e tetë që feston titullin përpara TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 17:34

“Djajtë” rekordmenë, Liverpuli kampionia e tetë që feston titullin përpara TV

Kur futbollistët ëndërrojnë të fitojnë një titull, skenari ideal është ta bëjnë në fushë, preferencialisht përpara tifozëve të tu dhe me një fitore.

Liverpool

Kështu ndodh në shumicën e herëve dhe një nga titujt më të bukur këto vitet e fundit fituar në këtë mënyrë është ai i Mançester Sitit kundër QPR-së në 2012-ën, Arsenalit kundër Evertonit në 1998-ën apo i Mançester Junajtid kundër Totenhemit në 1999-ën. Por natyra e futbollit nuk ta realizon gjithnjë ëndrrën në këtë mënyrë.

Skuadrat kampione nuk e shijojnë shpesh në këtë mënyrë momentin e kurorëzimit, duke iu dashur ta festojnë në divan përpara televizorit dhe jo në fushën e blertë, duke ndierë aromën e atij bari që e kanë shkelur me aq mund gjatë një sezoni të lodhshëm. Kjo histori vlen edhe për Liverpulin që nuk e kishte imagjinuar se titulli i parë në 30 vitet e fundit do të vinte në këtë mënyrë. Nuk e kishte imagjinuar as që tifozët do të pengoheshin të hynin në stadium për shkak të Koronavirusit.

“Reds”-at u bënë skuadra e tetë në historinë e Premier Ligë që shpallen matematikisht kampionë pa luajtur. Festimet më të famshme nga shtëpia përpara titullit të mbrëmshëm ishin 4 vite më parë, kur lojtarët e Lestërit ishin mbledhur në shtëpinë e Xhemi Vardisë për një festë, ndërsa shikonin Çelsin të merrte një barazim edhe po humbiste 2- 0 me Totenhemin. Fatmirësisht, atje ndodhej edhe një kameraman që përjetësoi ato momente historike.

Dy vite më vonë, Mançester Siti do ta fitonte nga divani titullin, ndërsa Junajtid mposhtej në mënyrë surprizë nga Uest Bromuiç. Festa e çmendur e kapitenit Vinsent Kompani në shtëpi, ndërsa përqafonte vjehrrin e tij, bëri xhiron e botës. Por përpara triumfit të Lestërit, duhet të kthehemi pas në kohë 9 vite, në 2007-ën për të gjetur herën e fundit të fitores së titullit jashtë fushe: ishte kur Çelsi barazonte 1-1 me Arsenalin në “Emirates” dhe u dorëzonte “Djajve” kampionatin.

Van Dijk

Nga ajo festë, nuk ekzistojnë foto apo video. Në fakt, Mançester Junajtid i ka fituar 5 nga 13 titujt e tyre të Premier Ligës jashtë fushe. Në vitin 2001 dhe 2003, ata përfituan nga humbjet shokuese të Arsenalit në “Highbury” kundër Midëllsbrout dhe Lidsit respektivisht. Fitorja e Uimbëlldonit 2-1 ndaj Liverpulit në maj 1997 është e famshme për golin e parë të adoleshentit Majkëll Ouen për “Reds”-at, por ajo ishte edhe mbrëmja e Junajtidit që iu dhurua titulli. Sepse humbja e Liverpulit dhe barazimi i Njukasëllit me Uest Hemin ishte kombinimi që i bënte një nder të madh skuadrës së Sër Aleks Fergusonit.

Titulli i dytë i Premier Ligës për “Djajtë” në 1994-ën iu dorëzua atyre pas humbjes së rivalëve më të afërt të Blekbërnit, në Koventri. Hera e parë që ndodhi në epokën e Premier Ligës ishte në sezonin e saj të parë të riformatimit, kur humbja shokuese e Aston Vilës me Olldhemin u dhuroi lavdinë djemve të Sër Aleks. Ajo i dha fund pritjes 26-vjeçare të “Djajve” për të fituar titullin, 4 më pak sesa priti Liverpuli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"