Ditët pa futboll, trajneri i Luftëtarit: S’jemi mësuar të mbyllemi në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2020 | 12:13

Ditët pa futboll, trajneri i Luftëtarit: S’jemi mësuar të mbyllemi në shtëpi

Trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi, tregon ditët pa futboll dhe bisedat me lojtarët në këtë periudhë pushimi të detyruar për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Novi

Për fat të mirë në qytetin e Gjirokastrës nuk ka ende të prekur nga ky virus. Kreu i pankinës bluzi foli për “Panorama Sport” edhe për ndikimin që mund të ketë tek futbollistët pushimi i stërzgjatur. Ende nuk dihet se kur do të rinisë kampionati.

DEKLARATA

“Ka kaluar një javë që kampionati është ndërprerë dhe lojtarët janë pranë familjeve të tyre për vetë situatën që po përjetojmë. Përhapja e virusit na ka penalizuar të gjithëve. Unë si trajner, që jetën time e kam lidhur me futbollin, po e përjetoj si gjithë të tjerët këtë moment të vështirë.

Sportistët nuk janë mësuar të mbyllen në shtëpi për një kohë kaq të gjatë. Megjithatë, si gjithë të tjerët edhe unë jam pranë familjeve dhe me mendje te lojtaret. Jam në kontakt të vazhdueshëm me futbollistët dhe për fat të mirë asnjë prej tyre nuk ka shqetësime deri më tani.

luftetari

Në Gjirokastër, përveç lojtarëve vendës, po qëndron edhe kapiteni Demo. Të tjerët janë pranë familjeve në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa Açka në Greqi. Të dalim sa më shpejt nga kjo situatë dhe me sa më pak dhimbje”, deklaroi fillimisht trajneri i Luftëtarit. Ndërkohë, i pyetur se sa mund të ndikojë kjo periudhë pushimi te gjendja e lojtarëve, Novi u shpreh:

“I vetmi shqetësim për mua është gjendja fizike e tyre. E them këtë, pasi çunat gëzonin formë të mirë në momentin që u ndërpre kampionati. Kjo pauzë do të ndikojë te lojtarët në çdo aspekt. Na shqetëson më shumë kohëzgjatja e virusit, si dhe afati i rinisjes së garës. Iu kam dhënë programe të veçanta lojtarëve për një kohë të shkurtër për të ruajtur disi formën fizike”.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"