Ditët e numëruara për stadiumin shqiptar, mësohet data e shembjes së tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2020 | 22:48

Ditët e numëruara për stadiumin shqiptar, mësohet data e shembjes së tij

Pas 20 majit, stadiumi “Kamza”, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ekzistojë më, pasi i është prerë “bileta” e shembjes nga bashkia e qytetit, që në atë vend ka planifikuar të ndërtojë një parking. Gjithë opinioni sportiv është i shqetësuar, pasi nuk ishte menduar kurrë se do të shembej edhe stadiumi, pavarësisht vështirësive të mëdha që ka aktualisht futbolli dhe të gjitha sportet e tjera. Njerëzit e sportit kërkojnë të mësojnë çfarë është vendosur zyrtarisht, por drejtuesit e Kamzës dhe punonjësit e sportit në bashki nuk pranojnë të prononcohen.
KAMZA
“Panorama Sport” ka kontaktuar shefin e klubit, Skënder Xhaja, i cili në vend që të përgjigjet për çështjen e stadiumit, fliste për ekipin: “Ne vazhdojmë punën, ekipi është, lojtarët janë. Stadiumi? Nuk jap informacion”. Këto ishin fjalët e drejtuesit të Kamzës.

Gazeta ka mësuar se shembja e stadiumit është parashikuar për më 20 maj, por mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë realisht. Nëse shembet stadiumi, Kamza zhduket përfundimisht nga harta e futbollit. Lajmi i publikuar nga gazeta disa ditë më parë ka bërë bujë dhe shumë njerëz të sportit, trajnerë dhe futbollistë kanë reaguar fuqishëm, duke theksuar se do ta mbrojnë stadiumin me çdo kusht.
Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri
E tatëpjeta e futbollit në Kamzë nisi pas ndeshjes me Laçin në Superiore dhe dhunës ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti. FSHF-ja e zbriti Kamzën dy kategori më poshtë, ndërsa këtë vit ky ekip është dënuar sërish, sepse nuk është paraqitur në dy ndeshje kampionati. Pra, nga Superioria në Kategorinë e Tretë, një rekord negativ, ku pa dyshim bashkia ka përgjegjësitë e saj. Zhdukja e sportit në një qytet të madh është absurde, pasi ia privon rinisë argëtimin e vetëm. Tashmë është e qartë pse bashkia nuk investoi për futbollin dhe e la skuadrën në mëshirë të fatit. Po ashtu, heshtja përballë gjithë kësaj situate tregon se vendimi për “ekzekutimin” e stadiumit është marrë.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"