Ditën volejbollist e në mbrëmje spiker lajmesh, rrëfehet Erion Zeqiraj: Mes miss-eve dhe femrave në poste drejtuese…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2019 | 14:00

Ditën volejbollist e në mbrëmje spiker lajmesh, rrëfehet Erion Zeqiraj: Mes miss-eve dhe femrave në poste drejtuese…

Një volejbollist i ekipit të Tiranës, që në pjesën tjetër të ditës heq kostumin sportiv dhe vesh atë klasik për të dhënë lajmet në një studio televizive. Erion Zeqiraj u rikthye në ekran në profesionin e tij të parë, pas një pauze që e shfrytëzoi për të transformuar fizikun e tij. Tashmë në topformë, ai rrëfen për “Panorama Plus” jetën e tij të ekstremeve dhe sakrificat për të mbajtur trupin në formë pas humbjes në peshë, të cilat i krahason me ato për të mbajtur një të dashur fikse:

erion-zeqiraj1

Duket se ke arritur në perfeksion me fizikun. A është më e vështirë të mbash gjatë një trup në formë, apo një të dashur fikse?

Faleminderit për komplimentin! T’ju them të vërtetën, nuk e kisha krahasuar ndonjëherë këtë vështirësi, por tani që po e mendoj, më duket se të dyja janë të vështira në mënyrën e tyre për t’i mbajtur. Për të pasur një trup të mirë duhet të heqësh dorë nga disa “mëkate”, ose të mëkatosh pak me ushqimin e tepërt dhe abuzimin e shthurur me ëmbëlsira dhe regjime. Pra, duhet një jetë e rregullt, si dhe një stërvitje e rregullt. Nga ky përshkrim kuptojeni vetë sa e vështirë është dhe vendosni nëse doni një trup të rregullt, apo ta hamë turpin me bukë në plazhe (qesh). Kurse për të mbajtur një të dashur duhet përkushtim, vlerësim, impenjim dhe t’i kushtosh vëmendje, pra ta bësh të kuptojë që është vetëm ajo dhe të ndihet e vlerësuar nga ty. Të gjitha këto bëhen për të mirën time, se po të jetë ajo e lumtur, jam edhe unë.

Është e vërtetë se sa më shume skalit trupin aq më egoist bëhesh, aq sa të del e tepron vetja?

Problemi i kësaj janë pasqyrat në palestër.(Qesh) Fillon e të pëlqen vetja. Por një këshillë është që të skalitësh trupin dhe trurin në të njëjtën kohë. Mund të them se më shumë se egoist, bëhesh kërkues ndaj vetes. Mirë është të njohësh limitet e tua dhe t’i shkelësh pa bërë dëme të mëdha për veten.

erion-zeqiraj3

Meqë jemi këtu, për ty është seksi një sport i mirë, apo më shumë të konsumon sesa të mban në formë?

Çdo gjë që bëhet me personin që do është një sport i mirë. Dhe lodhja është e bukur, kur lodhesh për personin që do në çdo aspekt të jetës.

Nga puna me miss-et në spektaklin e “Miss Universe”, te puna në studio si spiker lajmesh e deri te volejbolli si profesionist. Ku ndihesh më pranë, më i plotësuar?

Të them të vërtetën, çdo punë që bëj, e bëj me pasion dhe përkushtim. Mundohem ta shijoj në maksimum. Nëse nuk do ta doja një punë, nuk do ta bëja edhe sikur të isha i detyruar ta bëja. Megjithatë, sporti, pra volejbolli, është ai ku unë ndihem vërtet unë.

U largove nga ekrani për njëfarë kohe dhe je kthyer sërish aty ku edhe e fillove televizionin, pra te lajmet. Çfarë të shtyu të hiqje dorë nga emisionet argëtuese për t’iu rikthyer punës serioze të spikerit?

Ajo periudhë pushimi më ndihmoi të merresha me veten dhe t’u rikthehesha pasioneve të mia si volejbolli, si dhe të kujdesesha më shumë për formën trupore duke u transformuar edhe fizikisht. Kështu që, ajo periudhë pauze më ktheu dëshirën të kthehesha në ekran, duke parë edhe formën fizike, pra duke parë që xhaketat dhe këmishat po më rrinin mirë (Qesh). Vendosa të kthehesha te lajmet, te “Tema Tv”, në fakt edhe se lajmet më pëlqejnë, por edhe se ajo ishte një ofertë e mirë për mua. Fillimet i nisa me lajmet në botën e televizionit dhe kisha kujtime të bukura, të cilat vendosa t’i përjetoj prapë. E them këtë me bindje, pasi është shumë bukur të jetosh me ngjarjet çdo ditë.

Duke u nisur nga mënyra e çlirët plot batuta që bëje në emisionet argëtuese, nuk të duket pak vetja i robëruar në studion e lajmeve?

Unë ndihem mirë njësoj, mjafton të jem në ekran dhe ndihem mirë (Qesh). Por të them të drejtën, lajmet janë më komode dhe të mbajnë të lidhur me zhvillimet dhe ngjarjet, që nuk mbarojnë kurrë. Është bukur të informosh njerëzit, por edhe e vështirë kur duhet të lexosh ndonjë lajm ose ngjarje të rëndë, që për fatin tonë të keq, te ne janë prezent pothuajse çdo ditë.

Po si një volejbollist i ekipit të Tiranës, deri ku shkojnë ambiciet e tua të një profesionisti në sport?

Tani jemi edhe në prag të fillimit të sezonit të ri të kampionatit dhe dëshira është në fund të jemi fitues të kampionatit shqiptar të volejbollit.

E në këtë garë VIP-ash, disa prej të cilëve kanë marrë famë edhe nga “Big Brother”, ti e ndien veten brenda apo jashtë?

Unë kam marrë atë që desha nga ai reality show. E shijova në maksimum dhe vazhdova rrugën time në televizion. S’është se jam personi që jetoj me kujtimin apo hijen e atij spektakli, por që nuk e mohoj që kam qenë dhe më bëhet qejfi kur njerëzit më kujtojnë edhe për atë.

Nga emri dhe prezenca që ke, apo puna në administratën e Bashkisë së Tiranës, të ka ndodhur që të janë ofruar femra me poste drejtuese?

Femra nuk është çështje zgjedhjeje, është më shumë çështje ndjenje.

Mes një vajze me post drejtues e një miss-i, ti cilën do të zgjidhje për të pasur në krah?

Atë që ka pasionet dhe ëndrrat njësoj me mua, që më bën të emocionohem kur e shoh dhe mezi pret një mesazh të sajin. Ajo është e zgjedhura ime, pak rëndësi kanë të tjerat.

Si përfundim, je në një lidhje, e cila të bën të mendosh edhe për martesën?

Më pëlqen t’i lë gjërat të rrjedhin vetë, se ndonjëherë kur bën plane edhe nuk realizohen, ti zhgënjehesh. Por sigurisht që një ditë do bëj edhe unë një set fotosh me një vajzë që e dua me fustan të bardhë.

Për ty, femra ideale çfarë kriteresh duhet të plotësojë nga A-ja në Zh?

Unë do të isha shumë i kënaqur sikur të plotësonte kriteret nga B-ja në L. Këto kritere janë: të jetë e dashur, e përkushtuar, e zgjuar, të më dojë dhe të sakrifikojmë për njëri-tjetrin dhe për lumturinë e përbashkët.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"