Dita: Respekte Dajës, ne mbetemi kampionët në fuqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 20:37

Dita: Respekte Dajës, ne mbetemi kampionët në fuqi

Flamurtari-Skënderbeu është ndeshja e së vërtetës. Nga njëra anë Ilir Daja me 7 pikë nën drejtimin e kuqezinjve e nga ana tjetër Orges Shehi me të njëjtën kuotë pikësh në stolin e kampionëve. Pavarësisht se është një 90-minutësh që përball të shkuarën me të tashmen, për mesfushorin Bruno Dita është takimi i radhës i kampionatit. Ai e thotë hapur se është shumë herët për ta quajtur ndeshje decizive. Ndërsa nga ana tjetër do të jetë një takim që askush nuk kërkon ta humbë. Në këtë linjë ka qenë në deklaratën për shtyp Bruno Dita, një ndër lojtarët e preferuar të ish-trajnerit Ilir Daja.

dita

Bruno, 7 pikë në kampionat dhe vendi i parë me Flamurtarin. Si e shikoni këtë përballje?

Mund të themi që luajnë përballë dy ekipet që kanë bërë më mirë në këto tri javët e para të sezonit. Ne me dy fitore dhe një barazim po kështu edhe Flamurtari. Është një ndeshje e gjitha për t’u parë dhe për t’u shijuar, pasi premton të jetë e fortë dhe shumë e luftuar.

Ku ndryshon Skënderbeu nga Flamurtari?

Nuk e di dhe nuk më takon mua të bëj një analizë të tillë, por mund të them se ndryshimi është fakti që ne jemi kampionët në fuqi dhe kemi detyrim që të mbrojmë titullin kampion. Janë dy ekipe që kanë pretendime të mëdha në këtë sezon dhe ambicie.

Mendoni kështu, pavarësisht ndryshimeve?

Ndryshime ka në çdo ekip në çdo sezon. Sigurisht që bën përshtypje, pasi Skënderbeu nuk ka ndryshuar kurrë kaq shumë. Kemi bërë ndryshime këtë sezon, por jemi sërish ekipi që kërkojmë të bëjmë më të mirën e mundshme në çdo takim. Nuk na mungon as grinta dhe as dëshira që të bëjmë mirë.

Çfarë ka më shumë ky Skënderbe nga ai i vitit të kaluar?

Janë gjëra që ndryshojnë në përbërjen e lojtarëve. Një sezon më parë kishim më shumë eksperiencë dhe kualitet në ekip. Ndërsa tani i kemi besuar talentit dhe dëshirës së të rinjve për të bërë mirë. Kemi shumë dëshirë dhe ambicie dhe besoj se kjo do të na shtyjë përpara. Jemi më energjikë se një sezon më parë.

Do të përballeni me Dajën, trajnerin që ju ka dashur gjithmonë. Çfarë ndjesie do të jetë?

Sigurisht që respekti im për Ilir Dajën është maksimal dhe një gjë e tillë ka kohë që ekziston. Ka bërë shumë mirë te Skënderbeu dhe tani është në drejtimin e Flamurtarit. Futbolli ka të tilla situata.

Në verë ka pasur një interesim nga Tirana, por vendosët të qëndronit. Përse kjo zgjedhje?

Unë isha nën kontratë me Skënderbeun dhe mendja ime ishte duke punuar vetëm te Skënderbeu. Kam qenë i lumtur këtu dhe vijoj të jem ende i lumtur.

Si përfundon takimi në Vlorë?

Do të jetë një ndeshje e fortë, por ne do të shkojmë atje për të marrë maksimumin. Do të japim gjithçka për të arritur fitoren dhe në fund do të bëjmë analizën. E rëndësishme është që të japim maksimumin.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"