Dita: Dua të qëndroj gjatë te Skënderbeu, ndaj Laçit ishim ende me pushime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 9:51

Dita: Dua të qëndroj gjatë te Skënderbeu, ndaj Laçit ishim ende me pushime

Bruno Dita po kalon një moment të shkëlqyer te Skënderbeu. Mesfushori është përshtatur shpejt me fanellën e korçarëve dhe Ilir Daja e shikon si një lojtar “xhol”, që mund të bëjë disa pozicione. Dje Dita foli për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes me Lushnjën.

Dita

“Nuk ka ndeshje të lehta, sidomos me ekipet që janë poshtë nesh në renditje. Këto takime duhen vlerësuar më shumë, pasi janë ato që të japin kampionatin. Ne jemi mirë dhe mendojmë vetëm për të fituar”, theksoi Dita, duke folur më pas edhe për veten.

“Personalisht ndihem në formë, po mundohem të bëj maksimumin tim këtu. Ndryshimi është i madh dhe mbi të gjitha kam gjetur profesionalizëm te Skënderbeu, një skuadër që dua të jem për një kohë të gjatë. Skënderbeu ka vite që dikton në kampionat dhe besoj se do të vijojmë të bëjmë një gjë të tillë. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të japim maksimumin në fushë.

Në ndeshjen kundër Laçit e di që kemi stonuar disi, pasi e menduam të mbyllur takimin, teksa kundërshtari na goditi në të vetmin rast që pati në portën tonë. Për fat të mirë reaguam, por sërish nuk jemi të kënaqur.

Ndoshta nuk ishim në ditën tonë dhe ende me pushime, por ndaj Lushnjës nuk do të ketë më paraqitje të tilla dhe për këtë ju siguroj. Do të jemi një ekip kompakt dhe do të mbyllim ndeshjen sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi lojtari, i cili u bë pjesë e Skënderbeut në qershor të këtij viti, duke firmosur një kontratë 3-vjeçare.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"