Disiplina, fitoren në tavolinë Mamurrasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2014 | 15:20

Disiplina, fitoren në tavolinë Mamurrasit

Mamurrasi-Butrinti 0-1, para ndeshjesKomisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, i mbledhur këtë të enjte, mori në shqyrtim problemet e konstatuara në ndeshjet e kategorive të ndryshme të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe kërkesat e paraqitura. Po ashtu, aid ha verdiktin e vet edhe për ndeshjen e mosluajtur të javës së dytë të Kategorisë së Parë, mes Mamurrasit dhe Burrelit. Ky organ juridik i federatës ia ka dhënë fitoren në tavolinë skuadrës së presidentit Ded Ndreca, duke mos justifikuar pretendimet e palës matjane për pasiguri në zhvillimin e lojës, meqë mungonin forcat e rendit. Kësisoji, Mamurrasi e sheh veten me pikë të plota, 6 të tilla, pas dy javësh kampionat, duke bashkëkryesuar Grupin A me koplikasit e Velecikut dhe lezhjanët e Besëlidhjes.
“KF “Burreli”, për refuzim të luajtjes së ndeshjes me KF “Mamurrasi”, humbet në tavolinë me rezultatin 3-0.” – thuhet ekzaktësisht në vendimin përkatës të marrë nga Disiplina. Mbetet të shihet nëse kjo do të jetë shkalla e vetme e ankimimit të drejtuesve të klubit burrelas, apo do të reklamojnë edhe në Apel, si komisioni juridik suprem i futbollit shqiptar, i cili i “vë vulën” gjithckaje.
Pretendimet e palëve – Matjanët jepnin arsyet se pse nuk pranuan të zbrisnin në fushë atë ditë duke pretenduar se ajo sfidë nuk garantohej nga polici private, por nga punonjës që nuk kishin mandat për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa policia e rendit nuk ishte fare brenda fushës sportive. Reagimi i presidentit të Mamurrasit, Ded Ndreca ka qenë i menjëhershëm: “Policia private, e cila ishte e angazhuar për mbarëvajtjen e ndeshjes ndaj Burrelit është me licencë të rregullt. Ndërsa jashtë rrethimit të stadiumit ishin në monitorim forcat e policisë së rendit, të cilët meritojnë respekt për gatishmërinë. Fotot e publikuara në gazetë tregojnë se tifozët ishin jashtë rrethimit dhe në fushë ndodheshin vetëm personat me protokoll, gjë që janë kontrolluar nga të deleguarit e Federatës, të cilët kanë miratuar zhvillimin e ndeshjes. Në stadiumin e Mamurrasit është luajtur ndeshja me Vllazninë pa asnjë polic duke përfunduar mrekullisht. Kjo atmosferë do të na shoqërojë në të gjitha ndeshjet që do të zhvillohen në këtë stadium. Ndoshta, Burreli është frikësuar nga kontingjenti cilësor i futbollistëve të Mamurrasit, ndaj ka vlerësuar që më mirë të mos luajë, sesa të mundet. Ata kërkojnë diçka që nuk mund ta kapërdijë asnjë zyrtar i FSHF-së.”

JA PSE NUK U LUAJT NDESHJA
1.Përpara fillimit të kampionatit, çdo klub duhet të depozitojë në FSHF kontratën me stadiumin ku do të luajë ndeshjet dhe me policinë lokale që merr përsipër garancinë e takimeve. Por, policia e rendit nuk e merrte përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes në Mamurras.
2.Nëse do të luhej sfida mes Mamurrasit dhe Burrelit, atëherë do të krijohej një precedent i rrezikshëm. Një javë më pas do të dilte Burreli, Ada apo çdo skuadër tjetër që të bënte të ditur se garanton ndeshjen me polici private. Por, në Shqipëri një gjë e tillë, ku incidentet janë thuajse të përjavshme, nuk duket se do të funksionojë mirë.
3.Gjatë këtyre javëve po shihet qartë që ka një tërheqje të policisë së rendit nga disa stadiume në Shqipëri. Kjo nxjerr të zbuluar FSHF-në që ka licencuar fusha që nuk përmbushin standardet minimale dhe në këtë mënyrë, policia nuk garanton sigurinë e takimeve.

Çfarë ndodhi në Mamurras
Të shtunën (para dy javësh) ishte parashikuar që të luhej ndeshja mes Mamurrasit dhe Burrelit, por që nuk u luajt. Policia e rendit nuk e merrte përsipër sfidën, në një kohë që klubi vendës garantonte gjithçka me polici private. Por, ishin matjanët ata që nuk pranonin, duke pretenduar se policët privatë nuk ishin të asnjë lloj kompanie, por njerëz pa mandat për të siguruar mbarëvajtjen e sfidës. Nga ana tjetër, delegati i takimit, Enton Lita, dha urdhër që sfida të niste, pasi sipas tij ishin marrë të gjitha masat. Pas shumë debatesh, Burreli nuk pranoi të zbriste në fushë, në një kohë që çështja i kaloi Komisionit të Disiplinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"