Disiplina, derbi rrezikon pa tifozë. FSHF-ja në hall prej… milionave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 0:18

Disiplina, derbi rrezikon pa tifozë. FSHF-ja në hall prej… milionave

Ka një rrezik që derbi të luhet pa tifozë. Po, po, pikërisht kështu. Vështirë të ndodhë, sepse në lojë është një nga ndeshjet më të rëndësishme të vitit dhe përveç dëmit të imazhit, janë në lojë edhe miliona lekë, por rreziku mbetet. Le ta shpjegojmë si është çështja… 

TIFOZET E TIRANES

VENDIMI PËR TIRANËN Më datë 2 tetor, klubi i Tiranës u dënua me 4 ndeshje pa tifozë për shkak të incidenteve në derbin e 29 shtatorit. Mes rreshtave të vendimit të publikuar nga FSHF, thuhet se është reduktuar duke u bazuar në nenin 32/3 të KDS. OK, të ndalemi pak këtu! Nëse lexon pikën 4 të nenit 32, thuhet ndër të tjera: “Duke pezulluar pjesërisht zbatimin e dënimit, organi gjykues vendos në periudhë pezullimi me kusht nga gjashtë deri në 24 muaj”. Meqenëse vendimi është dhënë më 2 tetor, i bie që periudha e provës të kalohej në rastin më të mirë në 2 mars. Por, pse rrezikon që derbi të luhet pa tifozë, nëse Komisioni i Disiplinës zbaton rigorozisht rregulloren? Sepse vetëm një javë më parë, disa tifozë të Tiranës thyen 145 stola në stadiumin “Air Albania”. Akte vandale që u bënë publike nga federata dhe që janë motiv për ndëshkim. Natyrisht, është shumë e rëndë që për disa tipa të pagdhendur të mund të penalizohet e gjithë tifozëria e Tiranës, një nga më të mirat në vend sa i përket organizimit.

Derbi

KA PAK SHANSE TË NDODHË… Ky është një derbi vërtet special. Jo vetëm sepse do të përballen dy skuadrat më të mëdha me tifozëri fantastike, por sepse në këtë ndeshje do të përballen edhe kryesuesit e kampionatit (Tirana) me kampionët në fuqi (Partizanin). Pritshmëri të mëdha, atmosferë elektrizuese që nga e shtuna e kaluar dhe shumë para në lojë. Po, shumë para, sepse pritet rekord tifozësh në këtë ndeshje dhe në lojë është edhe… federata. Bash kështu: institucioni shqiptar i futbollit menaxhon stadiumin dhe sipas një rregulli të vendosur së fundmi, nëse shuma e arkëtuar nga biletat për një ndeshje shkon mbi 40 milionë lekë (të vjetër), atëherë FSHF merr 25% të xhiros. Me shumë gjasë shuma e biletave në këtë ndeshje do t’i tejkalojë 100 milionë lekët (të vjetër) dhe përveç Tiranës, as federata nuk mund të privohet nga një dorë e mirë parash. Përtej kësaj, do të ishte një goditje e rëndë për imazhin e futbollit shqiptar që një ndeshje e këtyre përmasave të luhej pa tifozë.

fshf

FSHF, NË HALL… Menjëherë pas ndeshjes së Kukësit, kur u vërtetua se 145 stola ishin thyer nga tifozët e Tiranës, specialistët e FSHF-së kanë nisur ta diskutojnë nën zë “hallin” që i ka zënë për ndeshjen e radhës që përkon me një derbi të zjarrtë. Nëse do të bëhej fjalë për një ndeshje tjetër, ka shumë të ngjarë që Tirana të merrte një dënim për ndeshje pa tifozë, por në këtë rast është shumë e vështirë të ndodhë kjo. Por halli tjetër është se kështu do të krijohet një precedent. Të gjitha klubet e tjera që do të jenë “në periudhë prove” për ndonjë problem nga tifozëritë e tyre, do ta mbajnë si flamur këtë rast, për t’i thënë FSHF-së: “Na fal edhe ne si Tiranën!” Nuk është hera e parë në fakt që FSHF e shkel rregulloren për hir të derbit. Edhe në vitin 2014 kur tifozëria e Tiranës ishte dënuar me 15 ndeshje për të mos shkuar në stadiume të tjera, kur erdhi radha e derbit, megjithëse dënimi nuk ishte shlyer plotësisht, rregullorja u shkel. Disiplina mund të mblidhet sot ose nesër dhe ende nuk dihet se ç’vendim do të merret.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"