Disfata në frymën e fundit, shpërthen trajneri i Vorës: Mendojmë tërheqjen nga gara, nuk mbyllej pa shënuar Maliqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2022 | 22:37

Disfata në frymën e fundit, shpërthen trajneri i Vorës: Mendojmë tërheqjen nga gara, nuk mbyllej pa shënuar Maliqi

Vora mund të tërhiqet nga gara. Të acaruar nga gjykimi që hasën në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”, klubi po mendon që të ndërmarrë hapin ekstrem. Është Gerald Çani që e konfirmon këtë, gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

Vora

Trajnerit që iu desh ta ndiqte ndeshjen nga tribuna (pasi mori të kuq një javë më parë, kur luanin me Butrintin në Pezë), ka qenë mjaft i ashpër. Ai jo vetëm që nuk e quan futboll të pastër, por e konsideron si mjaft të qëllimshëm kundër ekipit të tij. Tekniku evidenton se arbitri nuk kishte në plan që ta mbyllte ndeshjen pa bërë gol Maliqi, ndërsa mohon që anësorin ta kenë goditur lojtarët e tij.

“Vetëm futboll nuk mund ta konsideroj atë që pamë sot (dje) në Korçë, ku Vora luante me Maliqin. Një gjykim skandaloz që na ngarkoi me kartonë, plot 5. Gjyqtari nuk u mjaftua me kaq, por nxori me të kuq edhe Asimetajn, një nga lojtarët më të mirë të ekipit tonë. Një gol ‘offside’ pastaj për Maliqin…

Takimi nuk mbyllej pa u shënuar edhe goli i fitores. Arbitri kishte marrë udhëzimin, derisa të shënonte Maliqi të mos e mbyllte ndeshjen. Ai ndoshta edhe i frikësohej ndonjë agresioni. Për mua është skandaloze gjithë ky mllef i arbitrimit ndaj nesh. Kështu e pësuam në ndeshjen e kaluar ndaj Butrintit, por sot (dje) një tjetër Dyrmish na persekutoi. Kjo po na bën që të mendojmë tërheqjen e ekipit nga gara.

Këtë po mendojmë seriozisht tani, pas kësaj ndeshjeje skandaloze, klubi do marrë masën e largimit nga gara. Më mirë të tërhiqemi sesa të na ndodhë ndonjë skandal. Gjithsesi, këtë do ta studiojmë me qetësi dhe do ta analizojmë nesër (sot) kur të mblidhemi.

Përveç kësaj, neve na u desh të përballemi dhe me sulmin e tifozërisë, e cila godiste lojtarët tanë me çfarë u ndodhej aty pranë. Dhe sa për ta sqaruar, anësori nuk është goditur nga ana e lojtarëve tanë. Ai është goditur nga gurët e tifozëve vendës”, përfundoi Gerald Çani.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"