Disfata ndaj Pogradecit, trajneri Gjyla i shokuar: Arbitrat bënë çfarë deshën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 17, 2020 | 18:12


Disfata ndaj Pogradecit, trajneri Gjyla i shokuar: Arbitrat bënë çfarë deshën

Jo vetëm pas ndeshjes, por edhe gjatë saj trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, ka kundërshtuar vendimet e arbitrit kryesor, Ardjan Beqiri. 

gjyla

“Nuk e kuptoj pse u pritëm me ofendime në stadium. Në njëfarë mase i kuptoj tifozët, por jo të arrijnë deri këtu. Gjithsesi, kjo është njëra pjesë e asaj që më ka nervozuar në këtë ndeshje. Ajo që më nervozon më shumë është se gjyqtarët kanë bërë çfarë kanë dashur.

Nuk e kuptoj përse ndodh kjo dhe ju them me bindje se si ne, ashtu edhe Pogradeci, nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt. Unë kontestoj fort momentin kur portieri i Pogradecit në minutat e fundit ka pritur topin, duke e zotëruar brenda vijës fatale, madje disa centimetra. Për këtë jam i bindur. Na është mohuar një gol, që do të na jepte barazimin”, ka theksuar pas ndeshjes trajneri Gjyla.

Nëse pak javë më parë ai foli me ironi për gjykimin në Orikum, këtë herë është treguar i drejtpërdrejtë karshi gjykimit, duke ngritur shqetësimin e dëmtimit të skuadrës së drejton. Megjithatë, trajneri Gjyla nuk dorëzohet. “Edhe pse nuk fituam në këtë ndeshje, kjo nuk do të thotë se gara përfundoi në Pogradec. Ka edhe shumë rrugë para përpara dhe do të vazhdojmë të luftojmë me forcë”, ka përfunduar Gjyla.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com