Disfata me Tiranën, Ivanoviç: U ndodh të gjithëve. Mos i kushtoni rëndësi golave të pësuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 16:26

Disfata me Tiranën, Ivanoviç: U ndodh të gjithëve. Mos i kushtoni rëndësi golave të pësuar

Teuta u mund të dielën në shifrat 3-2 nga Tirana dhe tashmë durrsakët e kanë lënë kryesimin duke zbritur në renditje. Të besuarit e trajnerit Martini e kthyen ndeshjen në favorin e tyre dhe u munduan të shtonin forcën në prapavijë, por u goditën në momentin më përcaktues të ndeshjes. Në një intervistë për “Panorama Sport” mbrojtësi Filip Ivanoviç shprehet i lumtur që u rikthye në fushë me gol, por rezultoi një ditë jo e mirë për Teutën. 29-vjeçari serb pohoi se janë situata që i ndodhin çdo skuadre, por beson se ndaj Egnatias do të vijë menjëherë kthesa e rezultateve për kampionët e Shqipërisë.

ivanovic

Çfarë nuk shkoi siç duhet për Teutën ndaj Tiranës?
Ishte një nga ditët e këqija që u ndodh të gjithëve. Edhe pse ishim konkurrues gjatë ndeshjes, ne nuk e shfaqëm lojën tonë më të mirë. Humbjet ndonjëherë mund të tregojnë një anë të mirë, ato janë për të mësuar.

Sa keqardhje ndieni për golat e pësuar?
Sigurisht nuk është e lehtë kur pëson 3 gola në një ndeshje. Por nuk do t’i kushtoja aq shumë rëndësi golave, sepse në futboll numërohen pikët. Nuk do të më pengonte të fitoja 4-3 çdo ndeshje.

Si ishte të riktheheni në fushë pas katër javësh?
Periudha më e vështirë për mua është kur nuk jam duke luajtur. Kam bërë çmos që të jem gati gjatë pushimit. Isha 100% gati për këtë sfidë, jam i lumtur që jam përsëri në fushë.

Shënuat një gol mjaft të bukur, si ndiheni dhe kujt ia dedikoni?
Çdo gol është meritë e të gjithë ekipit, sepse futbolli është një lojë kolektive. Unë i kushtoj çdo gol familjes sime, e cila është mbështetja ime. Më vjen keq që nuk kontribuoi në rezultat. Dhe nëse jam mbrojtës, jam i uritur për gola.

Ndeshja e radhës me Egnatian, mendoni se ekipi do të bëjë kthesën?
Ne futemi në çdo ndeshje me dëshirën për të fituar, i respektojmë të gjithë. Në këtë takim shkojmë për tri pikët.

Pra, ndaj Egnatias mendoni se tri pikët janë detyrim?
Në futboll nuk e dini kurrë se çfarë do të ndodhë. Është detyrimi ynë të japim 100% në lojë, nëse kjo do të jetë e mjaftueshme, do të shohim.

Si e shikoni kampionatin, mund të jetë një luftë e fortë deri në fund?
Unë jam i befasuar pozitivisht nga cilësia e kampionatit. Ka shumë ekipe cilësore. Shumë skuadra duan të jenë në krye, por është vetëm fillimi, askush nuk e fiton titullin pas 5 javësh. Është një rrugë e gjatë drejt fronit dhe si kampionë në fuqi na takon ta arrijmë atë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"