“Dinastia Krasniqi”, vëllai i sulmuesit të Skënderbeut gati për kalimin tek Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2019 | 18:37

“Dinastia Krasniqi”, vëllai i sulmuesit të Skënderbeut gati për kalimin tek Apolonia

Ka dyndje lojtarësh, kryesisht të rinj të vetofruar, këto dy ditët e fundit tek Apolonia. Stafit teknik i është dashur të bëjë përzgjedhjen dhe kështu ka ndodhur dy ditë radhazi të drejtimit të seancave përgatitore nga trajneri Artan Mërgjyshi.

jeton krasniqi

Shumë futbollistë të rinj kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Apolonisë, duke ditur që Mërgjyshi është një evidentues dhe promovues i talenteve të reja. Por, nuk është e lehtë për t’u bërë pjesë e kësaj Apolonie të sivjetshme, pasi “sita” e selektimit është e hollë dhe pranohen vetëm futbollistë cilësorë dhe premtues. Disa të rinj nuk arritën ta merrnin “OK”-in nga stafi teknik i Apolonisë.

KRASNIQI

I vetmi që do të vazhdojë testimet është “Krasniqi i vogël”, vëllai i Blerim Krasniqit, futbollisti që vetë Mërgjyshi “e rriti” tek Apolonia dhe e shndërroi në një “9” jo vetëm shënues, por edhe “altruist” gjatë “simbiozës” ofensive UzuniKrasniqi. Në sezonin që Myrto Uzuni, tanimë pjesë e Kombëtares, u shpall kryeshënues i Kategorisë së Parë, me 17 gola, 9 asiste i pati nga Blerim Krasniqi, i cili sakrifikoi edhe golat personalë.

Të dy këta lojtarë i solli në Fier pikërisht trajneri aktual, Artan Mërgjyshi. Jeton Krasniqi është vetëm 18 vjeç dhe luan po sulmues qendre, si vëllai i tij. Ai ka dalë nga moshat kampione të Besës, ndërsa sezonin e kaluar ishte pjesë e Kamzës së Superligës. I gatshëm për të sfiduar vëllanë e tij dhe për të krijuar “dinastinë Krasniqi” në vijën e parë, ai do të gjejë terrenin e duhur tek Apolonia, sepse e tillë është edhe politika e klubit fierak, për t’u dhënë besim të rinjve të talentuar që të rriten profesionalisht dhe në të njëjtën kohë t’i shërbejnë skuadrës.

Deri tani Apolonia ka zyrtarizuar vetëm një përforcim, mesfushorin Smaçi, i cili vjen nga Laçi. Shumë lojtarë të tjerë janë në kontakte me drejtuesit fierakë, por për momentin nuk ka ende një marrëveshje me ta. Shumë shpejt trajneri Artan Mërgjyshi do të ketë në dispozicion edhe disa futbollistë nga Amerika e Jugut, të cilët do t’i testojë para se të vendosë, nëse i bëjnë punë Apolonisë për sezonin e ardhshëm apo jo.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"