“Dinamon po e bëjnë eksperiment”, Faruk Sejdini: Klubi nuk është tespie, fanellën bardhekuq dhe brekët… blu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2019 | 18:06

“Dinamon po e bëjnë eksperiment”, Faruk Sejdini: Klubi nuk është tespie, fanellën bardhekuq dhe brekët… blu

Një legjendë dhe ikonë e Dinamos, Faruk Sejdini, është totalisht kundër një ideje që Skënderbeu të ndërrojë emër, dhe të luajë si Dinamo.

faruk sejdini

Në një intervistë për “Rtsh”, është “xhaxhi” ai i cili shprehet se Dinamon po e përdorin si një eksperiment, por kjo kurrsesi nuk duhet të ndodhë me një klub, që ka kaq shumë histori dhe ka nxjerrë aq shumë lojtarë.

HABIA – Mua nuk më duket ndonjë gjë e çuditshme, me ato që kam dëgjuar, dhe me kinezërirat që ndodhin në këtë vend. U luajt njëherë me ndryshimin e emrit, nga Dinamo ia bënë Olimpik. Pas një kohe, u pa që nuk funksiononte. Dinamo ka një histori jo të vogël në Shqipëri, ka një plejadë të madhe futbollistësh. Tani, po ndodh kjo tjetra, që do bëhet një Dinamo e Korçës. Prapë, më duket pa logjikë. Siç thotë populli: “Guri i rëndë, në vendin e vet”. Më duket se e po përdorin Dinamon, si ato tespiet, që besimtarët e përdorin në faltore.

EKSPERIMENT – Mua më duket sikur Dinamon po e bëjnë një parcelë eksperimentale. Uroj që ky gjyqi i fundit, apo vendimmarrja e fundit të jetë pozitive për Skënderbeun, por kurrsesi nuk duhet të jetë Dinamo shkopi magjik, që shpëton ose jo Skënderbeun. Nëse duan që futbolli në Korçë të mos shuhet, mund të ketë alternativa të tjera që ta rimëkëmbin.

NGJYRAT – Stema e Dinamos për logjikë, për opinionin, për moralin, nuk mund të rrijë atje. Nuk e nxë në atë vend. Jo që i rri e vogël, por nuk i shkon fare. Mua më duket sikur po krijojnë një ekip hibrid. Do bëjnë një Dinamo, me fanellën bardhekuq, si e ka Skënderbeu, dhe me brekë blu, që të japin një shenjë që është Dinamo.

TIFOZËT – Si i bie të thërrasin tifozët në stadium pastaj. “SkënderDi”. Nuk mund t’i thuash një tifozi të Korçës, që sot do bërtasësh për Dinamon. Mua, të më vesh në shkallët e stadiumit, dhe të më thuash do bërtasësh këtë emër. Duket se po kthehemi në kohën e komunizmit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"