Dinamon e “streson” goli: Në Cërrik nuk mbeti asnjëri pa humbur rast

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2023 | 17:21

Dinamon e “streson” goli: Në Cërrik nuk mbeti asnjëri pa humbur rast

Këto ndeshje të fundit të kampionatit kanë një përgjegjësi shumë të madhe për Dinamon. Luhet për një objektiv madhor që duhet realizuar dhe një investim të konsiderueshëm që duhet shpëtuar. Presionin nuk e kanë vetëm drejtuesit dhe stafi, por edhe futbollistët në fushë.

dinamo

Blutë e nisën sezonin me misionin e dyfishtë të ngjitjes në Superiore dhe rritjes së elementëve të rinj, por prej disa javësh po mendohet vetëm për të parin. Situatat dolën shumë më të komplikuara nga sa mund të ishte menduar. Kryeqytetasit duhet minimalisht të ruajnë vendin e dytë në këto 4 javë të mbetura. E megjithatë, fillimisht duhet të ndreqin çështjen e “shënjestrës”. Ka tri ndeshje me radhë që goli po i “streson”, ndërsa nuk kanë mundur të shënojnë më shumë se një.

RASTET E HUMBURA – “Në Cërrik nuk mbeti asnjëri pa humbur rast”, tha për gazetën një nga futbollistët e Dinamos, pa dashur të prononcohet me emër. Ai u shpreh me shumë keqardhje për shpërdorimin e rasteve nga ana e bluve ndaj Turbinës, ku ata nuk morën më shumë se një pikë pas barazimit 1-1. Kuptohet që presioni i rezultatit me çdo kusht bën të vetën, por këtu ndikon edhe fakti se Dinamo nuk ka një qendërsulmues të mirëfilltë. Një problem që gazeta e ka evidentuar edhe më parë. Tani është më i dukshëm dhe po e bën skuadrën të vuajë.

Në ndeshjen e fundit të luajtur në kryeqytet, ku blutë fituan 1-0 ndaj Korabit, ata humbën disa raste të pastra shënimi, dy prej të cilëve me portën bosh. Taulant Marku në të parin dhe Asion Daja në të dytin, pa llogaritur traversën e Denison. Në Cërrik rastet e humbura para portës kundërshtare ishin më të shumta dhe ndikuan drejtpërdrejt në rezultat. Për fat të mira Dinamo ruajti pozitat e mëparshme, duke bërë që presioni të mos rritet edhe më shumë.

Ky është një problem që duhet të zgjidhet, ose të paktën të minimizohet, në tri ndeshjet që u kanë mbetur kryeqytetasve, duke nisur nga Besa. Trajneri dhe stafi i tij janë fokusuar më shumë te kjo pjesë në punën e tyre. Ata shpresojnë që ndaj kavajasve të kenë në dispozicion Hoze Denison, që është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës. Braziliani u dëmtua ndaj Turbinës dhe të martën mungoi në stërvitje, por gjasat janë që të rikuperohet, sepse rezonanca nuk nxori probleme serioze.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"