Dinamon e braktisin të gjithë, në dilemë edhe stafi teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2019 | 23:30

Dinamon e braktisin të gjithë, në dilemë edhe stafi teknik

Situata e Dinamos gjatë kësaj vere ka qenë plot “dallgë”, por tashmë duket se tkurrja te blutë ka arritur maksimumin.

igli allmuca

Kur Dinamo nisi stërvitjen më datë 22 korrik, asaj iu bashkuan 12 lojtarë të rëndësishëm, si Ted Laço, Erxhan Muça, Ilir Allmuça, Marlind Nuriu, Rei Nuriu, Ymer Shaba, Jurgen Vrapi, Kristjan Prendi, Invis Topalli, Reimond Çeliku, Ronaldo Ndreu dhe Jetmir Sefa, por tashmë vetëm 4 prej tyre janë ende në skuadër. Ata janë Kristjan Prendi, Invis Topalli, Reimond Çeliku dhe Ronaldo Ndreu, të gjithë me moshë shumë të re.

Por çfarë ndodhi me Dinamon? Pse e braktisën të gjithë? Në fillim të korrikut u afruan sponsorët që kishin investuar edhe vitin që shkoi, vëllezërit Nuri, por me qëndrimin e Skënderbeut në Superligë ëndrra e Dinamos për t’u ngjitur në elitë u shua. Shumë alternativa dhe hipoteza u diskutuan, por asnjë prej tyre nuk u realizua. Tani jemi para faktit që Dinamo nuk ka asnjë sponsor, as ndihmë nga Bashkia e Tiranës dhe as ndihmë nga shteti.

Presidenca aktuale duket se prej kohësh e ka lënë pas dore ekipin, administratori Ismet Saliaj po mundohet me të gjitha mënyrat, por deri tani nuk po arrin të sigurojë asgjë. Madje, blutë rrezikojnë të mbeten edhe pa fushë stërvitore nga muaji që vjen. Nuk dihet nëse do të paguhet qiraja apo jo e kësaj fushe, që edhe për këtë muaj është paguar nga sponsorët e mëparshëm.

Duke parë situatën pa financa, thuajse të gjithë lojtarët janë larguar. Në stërvitje me ekipin kryeqytetas dalin vetëm futbollistë të akademive, të cilët vijnë për provë. Asnjë nuk paguhet me rrogë mujore. Një situatë që ka vënë në dilemë edhe pjesëtarët e stafit teknik për të qëndruar ose jo. Trajneri Allmuça dhe ndihmësit e tij po punojnë në vështirësi mjaft të mëdha.

Shembulli konkret ishte ndeshja miqësore me ekipin modest të KF Kikës nga Kosova, ku futbollistëve të Dinamos, përveç 5 prej tyre, as stafi teknik nuk ua dinte mbiemrin. Një situatë mjaft e rëndë, një ekip i braktisur totalisht. Dhe ç’është më e keqja, një situatë që nuk besohet se do të marrë zgjidhje deri në nisjen e kampionatit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"