Dinamo-Vora, trajneri Kamarata: Duam 3 pikët. Futbollisti i vorakëve: Nuk kemi presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2020 | 12:07

Dinamo-Vora, trajneri Kamarata: Duam 3 pikët. Futbollisti i vorakëve: Nuk kemi presion

Pasi “ngecën” me Veleçikun, te Dinamoja duan kthesën. Kohë për gabime nuk ka më, ndaj kundër Vorës sot në PezëHelmës do të zbresin vetëm për fitore. Edhe këtë javë i bëjnë llogaritë me mungesën e sulmuesit Mustafa Xhixhiua dhe mesfushorit Plaren Fejzaj, e megjithatë blutë nuk shqetësohen. Stafi teknik i ka marrë që të gjitha masat, për të arritur maksimumin. Këtë e thotë vetë trajneri Fabricio Kamarata gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”. Italiani paralajmëron se skuadra është 100% gati për ta kaluar me sukses këtë 90- minutësh. Nuk nënvlerëson kundërshtarin, por beson te forca e grupit që drejton.
Fabricio-Kamarata-300x298
“Jemi përgatitur mirë gjatë gjithë javës dhe jemi gati për të luajtur me Vorën. Është ndeshja e radhës dhe nesër (sot) i bëjmë llogaritë vetëm me maksimumin e pikëve, pas ndalesës që patëm me Veleçikun në transfertë. Jam besimplotë, pasi gjendja e skuadrës është e mirë dhe mbi të gjitha në kamp mbizotëron klima pozitive. Djemtë janë të përqendruar për të luajtur këtë takim dhe dhënë gjithçka nga vetja. Sa i përket rezultatit, natyrisht që Dinamo hyn në fushë vetëm për të fituar. Pra, për të marrë tri pikët. Jemi me këmbë në tokë dhe vlerësojmë çdo kundërshtar, pa marrë parasysh renditjen e tyre. Ne hyjmë në çdo fushë për maksimumin, ndaj as kjo përballje nuk do të bëjë përjashtim. Nëse duam të arrijmë objektivin final, na duhet të fitojmë çdo ndeshje”, përfundoi Fabricio Kamarata.

VORA
Vora e Dinamoja do të përballen sot në Pezë-Helmës, në një ndeshje që mund të quhet edhe “derbi i vogël” kryeqytetas. Vorakët vijnë në këtë takim me një deficit pikësh, ndaj nuk kanë në plan që të dalin duarbosh përballë bluve. Këtë e thotë edhe 21-vjeçari David Gjinollari. Për “Panorama Sport” mbrojtësi tregon vështirësitë që po has skuadra e tij deri më tani.
116134108_3133913160019521_4031344740292126148_n
“Nuk e meritojmë aspak këtë pozicion në renditje. Jemi përballur me ekipet pretendente të grupit, por jemi penalizuar edhe nga arbitrimi. Vora ka në përbërje lojtarë mjaft cilësorë dhe me përvojë, ndaj do mbijetojmë. Nuk jemi konsoliduar me njëri-tjetrin, por do rritemi. Këtë e treguam javën e fundit dhe do ta bëjmë edhe nesër (sot). Presion nuk ka dhe objektivi është i qartë, qëndrimi në Kategorinë e Parë. Këtë nuk do ta diskutojmë. Me Dinamon do të jetë e vështirë. Ata janë rritur dhe kanë pretendimet për të kapur elitën. Unë kam qenë pjesë e këtij klubi që me grup-moshat dhe kam nostalgji. Por, jam një profesionist dhe do luftoj fort për ekipin ku luaj. Vora nuk do të dalë pa pikë nga ky takim. Ne do të hyjmë në fushë si fitimtarë”, përfundoi ish-mbrojtësi i bluve.

formacionet e mundshme

SKERDILAID SULOZEQI

ABDULLA DUSHKU

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"