Dinamo “tremb” Laçin, Mazrekaj u mohon fitoren bluve në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2023 | 9:15

Dinamo “tremb” Laçin, Mazrekaj u mohon fitoren bluve në miqësore

Laçi dhe Dinamo matën forcat në një miqësore të zhvilluar të shtunën në Pezë-Helmës, ku barazuan 1-1. Blutë ishin shumë afër fitores, por në fund u ndëshkuan nga një goditje dënimi e Mentor Mazrekajt. Të dyja skuadrat vinin në këtë ndeshje me shumë mungesa, me lojtarë të dëmtuar dhe nga ata që nuk u rrezikuan nga stafet përkatëse. Më problematike ishte situata te kurbinasit, që nuk kishte gati gjysmën e formacionit.

dinamo

NDESHJA – Mezani dhe Dede kanë bërë “provën gjenerale” para rinisjes së aktivitetit, ndaj dhe e nisën ndeshjen me lojtarët më të mirë të momentit. Pavarësisht disa rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat, pjesa e parë u mbyll në “thatësi”.

E dyta nisi mjaft mirë për Dinamon, që kaloi në avantazh me anë të Silvio Vokrrit. Ai përfitoi nga një gabim i mbrojtjes në të 48-ën dhe gjuajti saktë brenda zonës, duke mposhtur portierin Kuka, i cili sapo kishte marrë vendin e Dajsinanit.

Më pas Dinamo pati edhe dy raste të tjera të mira për golin e dytë, por që nuk i shfrytëzoi si duhet. Trajneri Nevil Dede filloi me ndërrimet, duke hedhur fillimisht në fushë Preloshin, Bardhin dhe Prodanin, përkatësisht në vend të Dajës, Vokrrit dhe Allmuçës. Në anën tjetër, Mezani kishte një stol shumë më të varfër.

Përveç portierit Kuka, ai aktivizoi edhe Bajramajn, Dukën dhe Gecin. Iniciativat e kurbinasve thyheshin pa shumë vështirësi nga mbrojtja dinamovite.

Laçi pati vetëm një rast të pastër me Adekelen, gjuajtja me kokë e të cilit përfundoi jashtë.

Minuta edhe për më të rinjtë te Dinamo, me Zhivanajn dhe Ndreun që debutuan me fanellën blu. Në minutën e fundit të ndeshjes, Mazrekaj i shtangu të gjithë dhe barazoi direkt me një goditje dënimi. Bakaj e priti topin, por brenda vijës fatale dhe për pasojë gjithçka u mbyll në barazim, 1-1.

laci dinamo

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"