Dinamo, siguria fillon nga prapavija/ Blutë e Dedes janë të vetmit që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2022 | 21:25

Dinamo, siguria fillon nga prapavija/ Blutë e Dedes janë të vetmit që…

Janë luajtur vetëm dy ndeshje dhe është shpejt për të nxjerrë konkluzione, megjithatë shifrat diçka tregojnë. Dinamo kryeson renditjen bashkë me katër skuadra të tjera, që të gjitha me nga katër pikë, por kryeqytetasit kanë diçka që i dallon nga të tjerët.

DINAMO 1

Dinamo është e vetmja skuadër që nuk ka pësuar gol në 180 minutat e para të këtij kampionati. Blutë fituan 2-0 në “Selman Stërmasi” ndaj Orikut dhe barazuan 0-0 në Korçë ndaj Skënderbeut rival.

SIGURIA – Rezultatet e këtyre dy javëve, por edhe të shumicës së miqësoreve, tregojnë se skuadra e drejtuar nga trajneri Nevil Dede është e organizuar mirë në prapavijë. Para nisjes së kampionatit, Dinamo nuk ka pësuar më shumë se një gol në miqësoret me kundërshtarë të Superiores, siç janë Vllaznia, Partizani, Egnatia dhe Kastrioti. Në ndeshjet zyrtare blutë kanë bërë edhe më mirë, duke qenë më vigjilentë në ruajtjen e rrjetës së paprekur. Nëse vazhdon kështu, Dinamo me siguri do të fillojë shkëputjen nga rivalët.

SIMONI – Dinamo ka luksin të ketë titullar një portier si Simon Simoni. Një skuadër mbrohet mirë kur mbron e gjitha bashkë, por ka edhe elementë që bëjnë diferencën. Lezhjani 18-vjeçar jep siguri edhe për shokët e skuadrës në tërësi dhe mbrojtjes në veçanti. Në ndeshjen me Orikun, në një rast që u thirr në apel, Simoni tregoi vlerat, duke shmangur një gol thuajse të sigurt me sulmuesin kundërshtar të vetëm në zonë. Për sa kohë do të vazhdojë të jetë pjesë e Dinamos, pasi portieri pritet të shitet në janar, blutë kanë një garanci më shumë pas shpine.

DINAMO

MBROJTJA – Edhe në mbrojtje Dinamo ka kualitet dhe eksperiencë. Lojtarë si Imami dhe Dikson në qendër, dhe Allmuça e Fetaj në krahë, formojnë një repart të konsoliduar, aq më tepër për Kategorinë e Parë. Nuk mungojnë as alternativat në stol, edhe pse dëmtimi i Prodanit para kampionatit ka prishur pak punë. Por duhet theksuar se një punë të mirë në lojën mbrojtëse të Dinamos bëjnë edhe mesfushorët Daja, Lilaj dhe Ymeri. Ndeshja e radhës është Burreli, ku blutë shpresojnë që të kthehen te fitorja dhe ta mbajnë rrjetën e tyre të paprekur.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"