Dinamo sheh larg, blutë nga kryeqyteti mendojnë që tani për… Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2022 | 14:30

Dinamo sheh larg, blutë nga kryeqyteti mendojnë që tani për… Superioren

Dy javë para nisjes së kampionatit, Dinamo është thuajse gati. Blutë kanë bërë një merkato të mirë dhe me atë që kanë treguar në ndeshjet miqësore, sidomos në këto të fundit, duket se kanë skuadrën e duhur për të mos e vënë në diskutim rikthimin e shpejtë në Superiore.

Foto: P. Pashollari

Foto: P. Pashollari

Me lojtarë me shumë eksperiencë dhe trofe të fituar në karrierë, si Sabien Lilaj, Asion Daja, Eni Imami apo shumë të tjerë, blutë pritet që të mos hasin shumë vështirësi sezonin e ri.

Kryeqytetasit në fakt shohin përtej këtij kampionati.

SUPERIORJA – Në kampin blu po mendojnë që tani për Dinamon e Superiores. Jo se e nënvlerësojnë apo injorojnë Kategorinë e Parë.

Përkundrazi, e kanë marrë shumë seriozisht, duke ditur dhe rivalitetin që do të ketë kjo kategori, me emra si Skënderbeu, Flamurtari, Besa, Lushnja etj. Fakt është se te blutë ka nisur që tani investimi për skuadrën e elitës.

Treguesi më i qartë është blerja e kartonit të Albion Markut nga Lokomotiva e Zagrebit. Një lojtar cilësor dhe me perspektivë, të cilin Dinamo mund ta huazojë për një sezon në ekipet e elitës dhe pastaj e ka gati kur të jetë vetë pjesë e saj.

Ndoshta në të ardhmen apo edhe në merkaton e dimrit, mund të ketë ndonjë goditje tjetër të kësaj natyre. Por edhe në grupin aktual Dinamo ka lojtarë të denjë edhe për në Superiore.

Brazilianit Denison, për shembull, i është zgjatur kontrata. Ai është pjesë e rëndësishme e projektit të Dinamos së re, bashkë me brazilianin tjetër Diogo.

Janë edhe disa të rinj të talentuar, që pritet të shpërthejnë me fanellën blu, si Kasmollari, Marku, Shala e ndonjë tjetër.

INFRASTRUKTURA – Që Dinamo e re po ndërtohet me baza të forta e tregon edhe investimi që është bërë për qendrën stërvitore dhe selinë e re të klubit.

Blutë vuajtën sezonin e shkuar në këtë drejtim, por tani janë stabilizuar në Arbanë. Atje është ndërtuar një fushë e re, ndërkohë që investimi vazhdon për ta kthyer këtë vend në selinë e Dinamos.

Që do të thotë një qendër e mirëfilltë sportive, me gjithë gjërat e nevojshme për skuadrën e parë, por edhe ato të moshave. Kur blutë të kthehen në Superiore, gjithçka do të jetë e kompletuar.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"