“Dinamo, rival dinjitoz. Por nuk ka nivel më të lartë se ne”, trajneri i Burrelit: Jemi të ngjashëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2020 | 10:03

“Dinamo, rival dinjitoz. Por nuk ka nivel më të lartë se ne”, trajneri i Burrelit: Jemi të ngjashëm

Burreli do të presë në shtëpi Dinamon, të cilën java e fundit e pozicionoi në krye të klasifikimit për Grupin A. Rivaliteti po bëhet më i fortë dhe gara mes Burrelit, Dinamos, Korabit e Besëlidhjes konsiderohet edhe si më e vështira. Por, nuk mendon kështu trajneri i matjanëve, Samuel Nikaj, pasi kryesimi në këto javë të para nuk do të thotë asgjë, përveç një rivaliteti të fortë. Sa i përket ndeshjes, Nikaj shprehet se e vlerëson Dinamon për historikun e saj në futboll, por momentalisht blutë nuk kanë asgjë më shumë se Burreli.
nikajjjj
“Do të punojmë fort për të qenë një rival dinjitoz për Dinamon, sepse ajo vjen favorite në këtë sfidë për historinë që ka. Por vetëm kaq, pasi mendoj se nuk ka nivel më të lartë se ne. Jemi dy ekipe të përafërta sa u përket individëve që kemi në përbërje. Blutë kanë 4-5 lojtarë shumë të mirë, të cilët unë i kam kontaktuar më parë për të qenë pjesë e Burrelit, por edhe ne kemi kualitetet tona me shumë përvojë e cilësi. Nuk do biem pre e provokimeve të deklaratave të momentit. Dinamo ka marrë vlerësimin maksimal dhe do të hyjmë në fushë me dinjitet për ta fituar sfidën dhe për të kapur kreun e grupit. Megjithatë, është ende herët për të folur për kreun e grupit. Unë e di mirë se si funksionon, pasi duhen edhe disa javë të tjera që të shkëputet njëri ekip. Dinamo, Besëlidhja, Korabi e Burreli janë 4 rivalë, të cilët nga java në javë mund t’i ndërrojmë pozicionet në tabelë”, tha Nikaj.

Barazimi i një jave më parë ndaj Erzenit i kushtoi Burrelit vendin e parë në grup. Matjanët ndërruan vendin me Dinamon që mundi në shtëpi Besëlidhjen e Lezhës.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"