Dinamo pret të rikuperojë pjesët, gati rotacioni. Dy titullarë mbeten jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 20:16

Dinamo pret të rikuperojë pjesët, gati rotacioni. Dy titullarë mbeten jashtë

Janë ditë të qeta te Dinamo, të diktuara edhe nga situata në renditje. Blutë kryesojnë me 7 pikë, me 0 humbje dhe 0 gola të pësuar. Por e kanë të qartë, se vend për rehati të tejzgjatur, nuk ka.

DINAMO

Tani vëmendja është te dy transfertat e radhës, fillimisht me Butrintin në Kupën e Shqipërisë dhe pastaj me Tomorin për javën e katërt të kampionatit. Të dyja ndeshje të vlerësuara maksimalisht, në një kohë që stafi teknik pret që t’i plotësohen pjesët. Janë disa lojtarë me probleme fizike. Për momentin shqetëson mbrojtja, sepse vetëm Eçe Dikson është plotësisht i gatshëm për qendrën e këtij reparti.

Eni Imami dhe Alesio Mija, të cilët kanë luajtur me të në tri ndeshjet e deritanishme, nuk janë rikuperuar ende. Imami pësoi një tërheqje gjatë ndeshjes me Skënderbeun në Korçë dhe vazhdon me pjesën e terapisë, ende nuk është kthyer në fushë. Për Kupën nuk mund të jetë gati, por shpresat janë që të rikuperohet për Tomorin. Mija i është bashkuar dje grupit. Ai u dëmtua në kokë gjatë ndeshjes me Burrelin dhe qëndroi disa ditë pushim, pasi hematoma thuajse ia mbylli njërin sy. Edhe Aurel Marku është kthyer në stërvitje dhe mund të jetë alternativë për trajnerin. Nëse asnjëri nga këta nuk ia del, në vend të tyre do të luajnë Dikson dhe Ali.

Jashtë skuadre mbetet edhe sulmuesi Patrik Bardhi. Pas rikuperimit gjatë fazës përgatitore, ai u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen e parë me Orikun, ku u dëmtua sërish. Me siguri Bardhi nuk do të jetë gati për ndeshjet me Butrintin dhe Tomorin, por për sulmin Dinamo ka më shumë alternativa. Duke shtuar këtu edhe Indrit Prodanin, i cili ndaj Burrelit ishte në tribunë me paterica pas ndërhyrjes në gju, lojtarët me probleme fizike te Dinamo janë të paktën katër.

Kanë munguar në stërvitje kohët e fundit edhe Simoni e Kasmollari, të angazhuar me Kombëtaren U-19. Duke pasur parasysh situatën me dëmtimet dhe faktin se kundërshtari në Kupë është realtivisht i lehtë, pritet që në Sarandë të ketë rrotacion.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"