“Dinamo nuk ngjitet me dallaveret e Barushit”, drejtori i Korabit: Bëri presion para ndeshjes, kanë 6 penallti në 8 javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2020 | 11:02

“Dinamo nuk ngjitet me dallaveret e Barushit”, drejtori i Korabit: Bëri presion para ndeshjes, kanë 6 penallti në 8 javë

Korabi u mund nga Dinamo, në një ndeshje ku nuk mungoi as tensioni dhe përplasjet fizike. Protagonistë u bënë dy drejtuesit më të lartë të klubeve. E megjithatë, për të zbuluar më shumë rreth asaj që ndodhi të enjten në Pezë-Helmës, flet vetë drejtori sportiv i dibranëve. Në këtë intervistë për “Panorama Sport” Fehmi Mëziu akuzon kryeqytetasit dhe u kujton se nuk mund të ngjiten në Kategorinë Superiore me dallaveret dhe aleancat që bën Ermal Barushi.

MEZIU BARUSHI

Me mbylljen e fazës së parë a mendoni se e keni arritur objektivin?

Ka qenë një vit shumë i vështirë për të gjithë. Megjithatë, ekipi ka pasur një ecuri të mirë në kampionat, por edhe në Kupë. Mendoj se me pak kujdes mund të ishim edhe në krye. Politikat tona nuk janë vetëm për objektivin që i kemi vënë vetes, por edhe që të “prodhojmë” lojtarë.

Të kthehemi pak te ndeshja me Dinamon, çfarë ndodhi në Pezë?

Ishte një ndeshje që foli shumë për Korabin. Kjo, nisur nga statistikat e lojës dhe rastet e shumta në favor të ekipit tonë. Dinamoja nuk mund të ngjitet në Superiore me 6 penallti në 8 ndeshje, të dhëna këto nga arbitrat tendenciozë që ndryshojnë komplet ritmin e lojës me dallaveret dhe aleancat që bën Barushi. Ndaj, gjej rastin që t’u bëj thirrje organeve kompetente të federatës që ta shohin me kujdes vijimësinë e kampionatit. Nuk mund të tallet një apo disa individë me djersën e djemve apo me komunitetin dibran.

Patët edhe një konfrontim fizik me Ermal Barushin…

Është e vërtetë. Barushi nisi me presione dhe ofendime që në fillim të mbledhjes për mbarëvajtjen e ndeshjes. Më qartë, u shpreh: “Kujdes me Dinamon se po shkelni në dërrasë të kalbur”. Dhe kjo, në prezencë të zyrtarëve të ndeshjes, delegatit, vëzhguesit dhe arbitrit të katërt. Pas penalltisë ai vijon me provokime direkt: “Kjo është Dinamoja ime” dhe duke bërë gjeste ofenduese të patolerueshme në shkallët e tribunës.

A ka pasur probleme me pagesat gjatë kësaj faze?

Me ardhjen e z. Dionis Ymeraj në krye të bashkisë, kemi pasur mbështetje financiare dhe morale nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të mirë dhe për rrjedhojë ekipit nuk i ka munguar asgjë. Në vijim kemi premisa që buxheti i ekipit dhe struktura të marrin formën e një ekipi profesionist.

Korabi

Cilat janë planet për merkaton e dimrit, sa afrime do të bëni?

Kemi një grup të mirorganizuar dhe cilësor, por për shkak të dëmtimeve të ndodhura në miqësore të Razës, Prendit dhe Shehut, do ta mendojmë. Deri në rikuperimin total të këtyre djemve do të na duhet të ndërhyjmë me kujdes në merkato duke afruar 1 apo 2 lojtarë me eksperiencë.

A do të vazhdojë Skuka të jetë pjesë e Korabit?

Pa diskutim që Skuka është lider i ekipit Korabi dhe kemi investuar shumë për rritjen profesionale të tij. Ndaj, shpresojmë që të festojmë bashkërisht në elitën e futbollit shqiptar.

Ka zëra që ekipi do të kalojë në sh.a. Sa e vërtetë është?

Ndryshimet në ligjin shqiptar të sportit i detyrojnë të gjitha klubet, që brenda vitit 2021 të ndodhë kjo. Sigurisht që edhe ne do ta shohim me prioritet këtë çështje, për të cilën kemi nisur diskutimet.

A do të ketë ndonjë rikonstruksion të stadiumit?

Sipas bisedave konkrete me kryetarin e bashkisë, z. Ymeraj, shpresojmë dhe jemi duke konkluduar që fundi i janarit 2021 të jetë fillimi i punimeve në stadium, për shkak të kushteve atmosferike në Dibër këtë periudhë.

FATMIR ZHUZHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"