“Dinamo, nivel tjetër”, Taulant Marku: Unë me Danajn bëmë një ‘mal’ me gola vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2022 | 0:20

“Dinamo, nivel tjetër”, Taulant Marku: Unë me Danajn bëmë një ‘mal’ me gola vjet

Taulant Marku është një nga afrimet e rëndësishme që ka bërë Dinamo në merkaton e verës. Sulmuesi që ka luajtur më parë për Tërbunin, Kastriotin dhe Korabin e konsideron privilegj faktin që do të veshë fanellën e kryeqytetasve dhe premton maksimumin për klubin dhe tifozët.

dinamo-1-1-770x470

28-vjeçari pohon se skuadra ku bën pjesë ka nivel të lartë, por bën edhe paralajmërimin se do të jetë një kampionat i fortë dhe i vështirë, sidomos në transferta. Ja intervista e tij e plotë për “Panorama Sport”:

Si lindi ideja për të kaluar te Dinamo dhe çfarë do të thotë për ju të luani për këtë ekip?

Në fakt, ftesa për t’iu bashkuar Dinamos erdhi në një moment që nuk e prisja. Për çdo futbollist në Shqipëri është privilegj të luajë në një ekip me tradita në futbollin tonë, siç është Dinamo. Dhe një ftesë e tillë vështirë të refuzohet. Unë dua të falënderoj trajnerin dhe drejtuesit e klubit për besimin dhe shpresoj të bëj më të mirën me këtë ekip.

Ju jeni një ekspert i Kategorisë së Parë. Si e parashikoni sezonin e ri?

Kategoria e Parë është shumë e fortë çdo vit. Këtë vit mendoj se do të jetë më e bukur, sepse ka shumë skuadra me emër që do të luajnë në këtë kategori. Gjithashtu, transmetimi i ndeshjeve në televizor do t’i japë edhe më shumë vëmendje.

Dinamo duket se ka marrë golat e Kategorisë së Parë me ju dhe Redon Danajn… A është një garanci për objektivin e Superiores?

Është e vërtetë që unë dhe Danaj kemi shënuar shumë gola vjet, por kjo i përket së kaluarës tashmë. Këtë vit na pret një kampionat akoma më i vështirë dhe ne bashkë me skuadrën duhet të japim maksimumin për të arritur objektivat e klubit. Dhe besoj shumë se do t’i arrijmë.

Si ju është dukur grupi që është formuar te Dinamo me aq sa kanë treguar ndeshjet miqësore?

Të them të drejtën, kemi zhvilluar një fazë përgatitore perfekte. Gjithashtu ndeshjet miqësore kanë qenë pozitive për ne. Në skuadër kemi lojtarë të nivelit të lartë. Kam bindjen se të gjithë bashkë do të bëjmë mirë te Dinamo. Rikthimin në Superiore nuk duhet ta diskutojmë.

Cili do të jetë rivali më i fortë në kampionat, sipas jush?

Të gjithë rivalët janë të fortë, sidomos në fushën e tyre. Nuk do të doja të përmendja emra skuadrash, por e di mirë që ndeshje të lehta nuk do të kemi.

Çfarë do t’u premtonit tifozëve të Dinamos, keni një mesazh për ta?

Ekipi ka nevojë për mbështetjen e tifozëve. Shpresoj që ata të rikthehen në stadium dhe të na mbështesin. Ju premtoj se do të jap maksimumin për këtë bluzë.

Rivalitetin në sulm, si e shikoni?

Rivaliteti mendoj që i bën mirë skuadrës, gjithashtu edhe lojtarit. Të gjithë duan të luajnë, kështu që duhet të jap gjithçka nga vetja që të fitoj besimin e trajnerit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"