Dinamo nis stërvitjen me 12 lojtarë, trajneri Allmuça pret përforcimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2019 | 11:31

Dinamo nis stërvitjen me 12 lojtarë, trajneri Allmuça pret përforcimet

Klubi i Dinamos, nëpërmjet trajner it Igli Allmuça, komunikoi javën e kaluar të rejat e fundit për të tashmen dhe të ardhmen.

Dinamo

Me një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i bluve të kryeqytetit theksoi se nuk do të kishte largime të tjera të rëndësishme nga Dinamoja dhe se ekipi do të përforcohet sipas premtimeve të drejtuesve. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe administratori i klubit, Ismet Saliaj, i cili ka pohuar se tashmë financat janë të garantuara për skuadrën nga dashamirës të Dinamos, të cilët janë afruar të kontribuojnë për të.

Dhe duket se çdo gjë do të shkojë më së miri për Dinamon sezonin e ardhshëm. Ashtu siç ishte parashikuar, dje Dinamo nisi stërvitjen nga Kodrat e Liqenit Artificial. Lojtarët e sezonit të shkuar u lajmëruan me telefon për nisjen e përgatitjeve dhe shumica e tyre iu përgjigjën pozitivisht thirrjes. Portieri Ted Laço, Erxhan Muça, Ilir Allmuça, Marlind Nuriu, Rei Nuriu, Ymer Shaba, Jurgen Vrapi, Kristjan Prendi, Invis Topalli, Reimond Çeliku, Ronaldo Ndreu dhe Jetmir Sefa u paraqitën në stërvitje. Pjesa tjetër pritet t’i bashkohet ekipit në ditët në vijim.

Nga blutë janë të larguar zyrtarisht ishkapiteni Arjan Sheta, sulmuesi i ri Markovanbasten Çema dhe mesfushori Kolgega. Gjatë kësaj jave do të prezantohet edhe plani dhe strategjia për përgatitjet e sezonit të ri. Sakaq, do të fillojë edhe rinovimi i kontratave për secilin prej këtyre futbollistëve. Për të pasur një skuadër pretendente serioze për elitën e futbollit shqiptar, drejtuesit e Dinamos patjetër që duhet të bëjnë edhe përforcime.

Capture

Administratori Ismet Saliaj ka deklaruar më parë se do të tentohen afrime në të tria repartet, por për të mësuar emra duhet pritur. Rëndësi ka që skuadra nuk ka humbur më kohë dhe ka nisur stërvitjen, ndërsa plotësimi i grupit do të bëhet gradualisht. Me lëvizjet e fundit të drejtuesve të Dinamos është “frenuar” edhe largimi i disa lojtarëve, të cilët po mendonin për skuadër të re. U përfolën shumë si largime Marlind dhe Rei Nuriu apo edhe Jurgen Vrapi, por që të tre kanë dalë në stërvitje me Dinamon që ditën e parë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"