Dinamo nis merkaton që tani, “boom”-i pritet në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2019 | 10:47

Dinamo nis merkaton që tani, “boom”-i pritet në janar

Me kontingjentin aktual të futbollistëve, Dinamo nuk ka shpresa për të mbijetuar në Kategorinë e Parë, ku lufta është shumë e fortë. U pa qartë edhe në ndeshjen me Veleçikun, ku skuadra kryeqytetase nuk mori më shumë se një pikë, edhe pse krijoi shumë raste për shënim. Blutë mbajnë vendin e fundit në Grupin A, me 2 pikë dhe larg rivalëve. 

dinamo

Ardhja e trajnerit të ri, Fabricio Kamarata, edhe pse e ka ndryshuar shumë atmosferën në ekip sa i takon metodikës së stërvitjes, nuk e ka sjellë fitoren e parë sezonale në një ndeshje që konsiderohej jetike për blutë. Drejtuesit e rinj të Dinamos e kanë të qartë se çfarë duhet bërë për ta mbajtur ekipin në Kategorinë e Parë dhe kanë nisur që tani lëvizjet për fuqizimin e organikës. Në fokus për momentin janë lojtarët e huaj dhe pritet që shumë shpejt skuadrës t’i bashkohen dy sulmues. Për njërin prej tyre gazeta mëson se vjen nga Italia dhe se është një nga ata lojtarë që mund të bëjnë diferencën.

Dinamo

Bëhet fjalë për lojtarë që janë pa kontratë për momentin dhe që Dinamos do t’i bënin punë. Por revolucioni i madh te blutë do të bëhet në merkaton e janarit, ku prurjet do të jenë të shumta dhe që mendohet se do ta transformojnë krejtësisht këtë skuadër. Në merkaton e dimrit drejtuesit blu pritet të afrojnë edhe disa elementë me përvojë nga kampionati shqiptar, të piketuar që tani.

Një tjetër mundësi për përforcimin e grupit është edhe huazimi i lojtarëve që nuk kanë hapësira aktivizimi me ekipet e Superiores, ku më i lakmuari mund të jetë Partizani, që ka një organikë më të fryrë. Dinamo ka kaluar një krizë të thellë dhe kompania italiane që ka marrë pronësinë ka projekte të mëdha, por që mbetet për t’u parë se sa do të realizohen.

F. Rupi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"