Dinamo nis merkaton me mendjen te largimet, priten shkurtime te kryesuesit e Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2023 | 20:56

Dinamo nis merkaton me mendjen te largimet, priten shkurtime te kryesuesit e Kategorisë së Parë

Në kohë merkatoje ka gjithmonë afrime dhe largime, sidomos te skuadrat me pretendime madhore. Te Dinamo po punohet për të përforcuar grupin në pikat ku ka treguar më shumë dobësi gjatë gjysmës së parë të kampionatit. Janë parashikuar të bëhen 4 përforcime, por në anën tjetër pritet të ketë edhe largime.

DINAMO

Pas një analize që është menduar të bëhet këto ditë, do të jenë të paktën 4 edhe largimet nga radhët e bluve. Dinamo ka aktualisht 29 futbollistë nën kontratë. Gazeta mëson nga burime të besueshme pranë klubit se qëllimi është që ky grup të reduktohet dhe në vazhdim të mos jenë më shumë se 25 futbollistë në organikë.

Kush do të largohet? Për të mësuar emrat konkretë duhet pritur, situata do të jetë më e qartë pas një analize të programuar nga dinamovitët. Mund të jenë elementë të rinj, të cilët nuk kanë gjetur hapësirat e nevojshme, por mund të jetë edhe ndonjë emër me eksperiencë, që deri tani nuk u është përgjigjur pritshmërive të drejtuesve të klubit dhe stafit teknik të Dinamos. Në rastin e dytë ‘divorci’ do të ishte pak më i vështirë, sepse në mes është kontrata, që duhet zgjidhur me konsensus.

Për momentin nuk është ende e qartë, nëse te grupi me 25 lojtarë që do të përfaqësojnë Dinamon në vazhdim bëjnë pjesë edhe afrimet e merkatos së janarit apo jo. Nëse te 25-shja llogariten edhe përforcimet e mundshme, atëherë do të jenë më shumë se 4 futbollistët që do të largohen nga Dinamo në janar. Trajneri Nevil Dede aktualisht po e vazhdon punën me të njëjtin grup, duke përjashtuar Simonin e larguar në Gjermani dhe Rexhinaldon. Klubi në anën tjetër nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar në lidhje me lëvizjet e merkatos së janarit, as në hyrje dhe as në dalje.

FATJON RUPI = PANORAMASPORT.AL