Dinamo, në krizë ekzistenciale si kurrë më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 22:39

Dinamo, në krizë ekzistenciale si kurrë më parë

Dinamo po përjeton një nga momentet më të vështira në historinë e saj. Me 21 futbollistë të larguar dhe vetëm 4 “të mbijetuar” nga sezoni i kaluar, pa merkato (kryesisht futbollistë moshash), kryeqytetasit janë në krizë ekzistenciale.

dinamo

Një fillim për t’u harruar, me 4 ndeshje në total, 3 në kampionat (2 humbje, 1 barazim) dhe 1 humbje e thellë 3-0 në Kupë ndaj Erzenit. Një bilanc katastrofik për Dinamon. Trajneri Igli Allmuça dhe stafi i tij kanë bërë maksimumin me këtë organikë, por është e pamjaftueshme për të bërë hapa përpara. Drejtuesit e Dinamos janë ankuar për gjykimin, pasi janë dëmtuar me penallti të padhëna dhe ndëshkim me kartonë, ndryshe nga sa ka ndodhur me kundërshtarin.

Por nuk është gjykimi arsyeja e vërtetë e krizës së Dinamos. Në merkaton e verës kryeqytetasit kanë arritur të afrojnë vetëm dy lojtarë mesatarë për Kategorinë e Parë, si Allmeta dhe Boci, por ata nuk mjaftojnë kurrsesi. Pa një portier të afirmuar dhe pa një sulmues gjithashtu të afirmuar, Dinamo nuk mund të bëjë asgjë. Më shumë se 70% e lojtarëve të rinj janë thjesht të federuar, por janë pa rrogë në klub.

Financat e dobëta e kanë penguar afrimin e lojtarëve cilësorë në merkato, prandaj Dinamo do të luftojë për mbijetesë këtë sezon. Kësaj i tremben edhe tifozët e saj. Nëse presidenca apo dikush tjetër nuk ndërhyn, atëherë 18 herë kampionët e Shqipërisë do të shkojnë drejt “humnerës”. Kjo mbetet kërkesa e tifozëve, të cilët shpesh në rrjetet sociale kanë bërë apel për ta ndihmuar Dinamon.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"