Dinamo mundet në miqësore nga Trepça ’89, një emër i ri në merkato për “Nëndetësen”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2023 | 14:41

Dinamo mundet në miqësore nga Trepça ’89, një emër i ri në merkato për “Nëndetësen”

Dinamo e pëson sërish. Pas humbjes me Kastriotin në Kupë, e ka pësuar edhe në miqësore. Këtë herë i mundi Trepça ‘89, ekip që po stërvitet në qytetin e Durrësit. Ishte një test blic dhe i paplanifikuar për kryeqytetasit, që u mbyll në shifrat 0-1. Goli u shënua nga sulmuesi Ardian Muja në pjesën e parë. Blutë u ndëshkuan nga një top i humbur, që solli sulmin e shpejtë të kundërshtarit, të finalizuar me gol.

dinamo

Trajneri Nevil Dede ka parë edhe një herë skuadrën para se të nisë javën e përgatitjeve për ndeshjen e radhës me Luzin në kampionat. Dinamo dominoi në lojë, sidomos në pjesën e parë, por pa mundur të shënonte asnjë gol. Kosovarët shënuan edhe me Mba, por sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje.

Në këtë sfidë luajti nga minuta e parë mbrojtësi Eni Imami, i cili vjen nga një mungesë e gjatë. Po ashtu, në pjesën e dytë u aktivizua edhe Sabien Lilaj, që e ka kaluar gjendjen gripale.

Mungoi mesfushori Asion Daja për arsye shëndetësore, por jo shqetësuese për ndeshjen e kampionatit.

78

AJAZI – Vazhdojnë manovrat e kryeqytetasve për të përforcuar organikën. Ergi Ajazi është emri i ri në merkaton, por ende nuk mund të flitet për një marrëveshje zyrtare mes palëve.

Bëhet fjalë për një futbollist 21-vjeçar, i lindur në Gramsh. Ai ka dalë nga Shkëndija e Tiranës dhe është aktivizuar në Kroaci me ekipin e dytë të Osijekut.

Së fundmi, ai ka qenë pjesë e NK Kustosija. Luan në pozicionin e trekuartistit, ku aktivizohet Redon Danaj, por edhe si sulmues i të dy krahëve.

Ajazi bën pjesë tek ajo kategori lojtarësh, ku drejtuesit e Dinamos janë fokusuar më shumë: të rinj që mund të afirmohen dhe të rrisin vlerën gjatë aktivizimit me 18 herë kampionët e vendit.

PORTA – E hapur mbetet merkato për portën. Përveç emrave që ka përmendur më parë gazeta, si Stivi Frashëri, Bruno Puja e Livio Malaj, kandidat për portën blu është edhe një italian.

Emri i tij nuk bëhet i ditur ende, pasi gardiani italian është ende nën kontratë me një klub.

Gjatë ditëve në vazhdim pritet të ketë zhvillime konkrete për çështjen e katërkëndorit, pasi blutë nuk do të heqin dorë derisa të gjejnë zëvendësuesin e Simon Simonit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"