Dinamo, momenti që Patrik Bardhi dhe Enis Gavazaj të dalin në skenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2021 | 14:10

Dinamo, momenti që Patrik Bardhi dhe Enis Gavazaj të dalin në skenë

Dinamos i erdhi pak në ndihmë ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Blutë janë munduar ta marrin veten nga goditja e fortë që morën në derbin me Tiranën, ndërkohë që dëmtimet nuk u janë ndarë gjatë kësaj periudhe.

DINAMO

Ata e rifillojnë sërish ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë, ku u duhet të mbrojnë fitoren 2-0 të 90 minutave të para për të kaluar turin. Trajneri Bledi Shkëmbi, së pari është munduar të punojë me skuadrën në aspektin psikologjik dhe pastaj edhe në atë teknikotaktik.

Ashtu siç gazeta ka bërë me dije, Dinamo pritet të paraqitet ndryshe në fushë që nga kjo mesjavë. Duke marrë në konsideratë edhe situatën me mungesat, blutë do të kalojnë në një rreshtim me tre mbrojtës, ndërsa emrat janë ende për t’u saktësuar. Të sigurt në këtë skemë loje janë Sofranak dhe Imami, kurse për mbrojtësin e tretë ka ende ndonjë dilemë.

PATRIK BARDHI 1

BARDHI-GAVAZAJ – Në tetë javët e kampionatit është vënë re se blutë kanë nevojë për më shumë përvojë në fushë, për t’i zgjidhur më mirë disa situata të caktuara.

Pikët e lëna mund të mos “djegin” aq shumë tani, por në bilancin përfundimtar do të kenë kosto, ndaj dhe në këtë aspekt skuadra duhet të reagojë. Që nga ndeshja e së mërkurës mund të ketë lëvizje në formacion.

Përveç titullarëve me peshë, si Imami, Sofranak, Demiri, Siljanovski, Isaevski, kapiteni Ibraimi dhe sulmuesi Çinedu, duket se ka ardhur momenti i Patrik Bardhit dhe Enis Gvazajt.

I pari deri tani është aktivizuar si zëvendësues kryesisht, ndërsa i dyti, që e nisi kampionatin si titullar, më pas u kushtëzua nga një dëmtim dhe në derbin e fundit mori pak minuta.

Janë të dy lojtarë që kanë përvojë në Superiore, veçanërisht Gavazaj, i cili me Skënderbeun ka arritur edhe në nivele shumë të larta, deri në grupet e Ligës së Europës.

Kosovari nuk është në atë formë, sigurisht, por me eksperiencën e gjatë që ka, mund t’i japë një dorë Dinamos në këtë moment të vështirë, qoftë nga minuta e parë, qoftë nga stoli.

Bardhi është tashmë një futbollist që e njeh mirë Superioren dhe ndoshta që të mërkurën mund të zërë vend në formacionin e trajnerit Shkëmbi, në linjën e djathtë, ku mungojnë Maliqi dhe Haxhiu.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"