Dinamo me gjysmë skuadre, titullari një muaj jashtë fushe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 10:14

Dinamo me gjysmë skuadre, titullari një muaj jashtë fushe

Ai dëmtim në kavilje gjatë derbit të parë të Kupës së Shqipërisë me Tiranën ka rezultuar më serioz nga sa u duk në fillim për portierin Romeo Harizaj. Në klubin blu bëjnë me dije se “gardiani” fierak do të mbetet jashtë edhe një muaj.

dinamo

Në fillim u mendua se Harizajt i duheshin nga dy deri në katër javë për të qenë gati, por tashmë koha e rikuperimit të tij është zgjatur. Mungesa të tjera të rëndësishme në ndeshjet e fundit kanë qenë edhe mesfushorët Lansinet Sidibe dhe Rimal Haxhiu.

I pari, i dëmtuar në stërvitje, edhe pse bëri disa seanca terapi speciale në Serbi, nuk është ende gati për trajnerin Shkëmbi. Situata me Haxhiun është gati e njëjtë me atë të portierit Harizaj. Edhe ai u dëmtua në derbin e parë të Kupës, ku pësoi një kontraktim, por më pas pati edhe një dëmtim tjetër që vazhdon ta lërë jashtë skuadre.

Po të llogarisim edhe mungesat disi “misterioze” të Kërçikut dhe Gjatës apo edhe dëmtimin e gjatë të brazilianit Diogo, i bie që blutë në çdo ndeshje kanë pasur mangët një gjysmë skuadre. Rikthimi i vetëm për momentin është ai i Edis Maliqit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"