Dinamo me “arnime”, priten edhe dy afrime te blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2019 | 15:56

Dinamo me “arnime”, priten edhe dy afrime te blutë

Dinamo ka pasur largime masive nga radhët e futbollistëve të sezonit që shkoi. Nga ai grup me rreth 25 lojtarë, kanë mbetur vetëm 7 prej tyre dhe gjithçka vjen për shkak të aspektit financiar, që te kryeqytetasit nuk është i stabilizuar aktualisht.

Dinamo

Më 25 korrik blutë e nisën stërvitjen me 13 emra të rëndësishëm, siç janë Sefa dhe Muça, kushërinjtë Rei dhe Marlind Nuriu, Ilir Allmuca e të tjerë, por më pas, pasi u shua “ëndrra” e Superiores, u shua edhe Dinamo. Drejtuesit e saj patën plane të mëdha në çdo aspekt, kur në skenë doli mundësia për të luajtur në elitë, por ai skenar ra poshtë dhe planet u prishën.

Tashmë besnikët e bluve janë vetëm pesë, Erxhan Muça, Jetmir Sefa, Invis Topalli, Reimond Celiku dhe Ronaldo Ndreu. Kryeqytetasit kanë afruar shumë lojtarë të rinj, mes të cilëve veçohet Xhoel Plaku, ndërsa lojtarët e vetëm me eksperiencë të afruar deri tani janë Xhorxhian Boci nga Iliria dhe Enton Allmeta nga Vora. Sipas drejtuesve të skuadrës, Dinamos pritet t’i bashkohen edhe dy lojtarë të tjerë të afirmuar, por për momentin nuk janë përmendur emra konkretë.

Ndoshta bëhet fjalë për ndonjë huazim nga lojtarë të skuadrave të Superiores, megjithatë duhet pritur për të mësuar se kush do të jenë dy përforcimet e fundit të bluve. Gjithsesi, edhe me këto lëvizje, stafi teknik me në krye trajnerin Igli Allmuça kurrsesi nuk mund të jetë i kënaqur dhe duket shumë e vështirë që blutë të kenë pretendime në kampionatin e ri, madje më shumë duhet t’i ruhen fundit të renditjes.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"