Dinamo kërkon ta mbyllë me festë 2022-shin, një marsh më shumë me krahët e rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2022 | 17:10

Dinamo kërkon ta mbyllë me festë 2022-shin, një marsh më shumë me krahët e rinj

Dinamo luan në Pukë ndeshjen e fundit të 2022-shit, për t’u rikthyer pastaj në janar me ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Kastriotit. Blutë duan t’i bëjnë një mbyllje sa më të mirë vitit kalendarik, që nënkupton se kërkojnë fitoren e radhës ndaj Tërbunit.

DINAMO

Vlerësimi për këtë duel është maksimal, pasi kundërshtari është i fortë dhe dihet që ndaj kryeqytetasve të gjithë sforcohen më shumë. Megjithatë, blutë janë në një moment të mirë dhe në skuadër ka optimizëm për fitoren e katërt radhazi. Nevil Dede ka ende kohë për ta përgatitur këtë transfertë dhe gjasat janë që të luajnë me 11-shen që mundën Lushnjën. Samake u paraqit mirë në atë ndeshje, madje shënoi edhe një gol, kështu që kreditet e tij për formacionin janë shtuar. Ai pritet të luajë në qendër të mbrojtjes me Diksonin ose Mijën. Dilema e vetme është kush do të luajë përkrah Dajës në qendër të mesfushës, ku të gatshëm janë Lilaj i kthyer nga dëmtimi, Smaçi që luajti ndaj Lushnjës dhe Preloshi i kthyer nga skualifikimi. Deri ditën e ndeshjes trajneri do të vendosë për lojtarin që do ta nisë nga fillimi. Mbetet e pandryshuar dyshja e sulmit, e përbërë nga Taulant Marku dhe Denison.

KRAHËT – Ajo që është vënë re në ndeshjet e fundit, ka të bëjë me rritjen e lojës nga krahët. Bardhi dhe Vokrri duken tashmë një dyshe e konsoliduar në linjën e djathtë, ashtu si dhe Allmuça me Prodanin në të majtë. Me këta lojtarë, Dinamo ka funksionuar më mirë në lojën nga krahët, ka krijuar më shumë situata të rrezikshme në zonën kundërshtare dhe ka pasur më shumë stabilitet në të dyja fazat e lojës.

Nga krahu i djathtë blutë krijojnë edhe më shumë raste për shënim, pasi veç Bardhit dhe Vokrrit, dy lojtarë të shpejtë, vepron edhe braziliani Denison. Fetaj, titullar për shumë javësh, është ulur në stol. Edhe krahu i majtë është më rezultativ me rikthimin e Prodanit, autor i dy golave në ndeshjet e fundit. Me aktivizimin e tij si titullar, i ka takuar Danajt të qëndrojë në stol. Duket se krahët e rinj i kanë dhënë skuadrës vërtet një marsh më shumë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"