“Dinamo ka nisur një cikël”, ish-futbollisti Bregu: Mund të fitojë Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 20:17

“Dinamo ka nisur një cikël”, ish-futbollisti Bregu: Mund të fitojë Kupën

Ende pa u mbyllur faza e parë e kampionatit, Dinamo ka vërtetuar atë që kanë thënë të gjithë: Një skuadër e bërë nga e para kërkon kohën e vet për të arritur nivelin e kërkuar dhe duhet durim. Por, kur bëhet fjalë për skuadra me emër e traditë, siç është Dinamo, pritshmëritë janë më të mëdha, ndaj dhe luhatjet e deritanishme të bluve kanë sjellë edhe reagime të ndryshme.

bregu

BREGU
Aleko Bregu, një nga ish-dinamovitët që e ndjekin skuadrën në çdo ndeshje në këtë rikthim të saj në elitë, gjithashtu edhe trajner në akademinë e riorganizuar të bluve, thotë për “Panorama Sport”, se gjërat do të përmirësohen me kalimin e kohës. Sipas tij, Dinamo sapo ka nisur një cikël dhe i duhet pak kohë dhe ndonjë përforcim, por ajo do të jetë gjithmonë mes pretendentëve.

“E rëndësishme mbi të gjitha është që Dinamo është kthyer. Si një skuadër e bërë e gjitha nga e para, do të kishte vështirësi, kjo kuptohet. Nuk dua të hyj në detaje teknike, por mund të them me bindje se Dinamo do të vijë në rritje.

Nuk është si një skuadër që e ka bërthamën dhe që bën disa përforcime, Dinamos i kanë mbetur vetëm 2-3 lojtarë nga sezoni i shkuar, të gjithë kanë ardhur nga skuadra të tjera.

Plus kësaj, disa nga lojtarët kanë moshë të re dhe ky është një faktor që ka ndikim. Me kalimin e kohës situata do të jetë më e mirë, kur klubi të zyrtarizojë edhe shtëpinë e re. Po ashtu, me ndonjë ndërhyrje në merkaton e janarit, siç është folur nga drejtuesit, besoj shumë se Dinamo do të jetë më kompetitive, sepse deri tani është penalizuar edhe nga mungesat.

Për mendimin tim, skuadra do të jetë gjithmonë mes pretendentëve për të zënë një vend në Kupat e Europës.

Ky kampionat po tregon se të gjitha skuadrat aty-aty janë, një fitore të ngre e të çon në vend të dytë, një humbje të rrëzon. E shoh me optimizëm të ardhmen, sepse siç e thashë, jemi ende në fillim të sezonit”, është shprehur ish-futbollisti i bluve.

NË DY FRONTE
I pyetur për sfidën e kthimit në Kupë me Tiranën, Bregu thotë se Dinamo i ka mundësitë të luftojë në dy fronte, pse jo dhe ta fitojë Kupën e Shqipërisë. “Ajo fitore 2-0 në ndeshjen e parë me Tiranën është një favor i madh për Dinamon. Për mua, skuadra i ka mundësitë të luftojë në të dyja frontet.

Kupa e Shqipërisë, një kompeticion me eliminim, të jep të drejtën që në një ditë të mirë të kalosh edhe një kundërshtar më të fortë. Varet shumë nga momenti që kalon skuadra në ndeshje të caktuara.

Nëse do të fitonte Kupën, do të ishte vërtet diçka shumë e bukur për Dinamon në këtë rikthim të saj”, ka theksuar Bregu për gazetën.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"