Dinamo joshet nga milionat e Simonit, “syrin” te të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2023 | 17:29

Dinamo joshet nga milionat e Simonit, “syrin” te të rinjtë

Në pjesën e dytë të ndeshjes miqësore me Laçin te Dinamo u vu re një numër i madh lojtarësh nën 20 vjeç. Në fushë ishin Alisio Preloshi, Aurel Marku, Oresti Kasmollari, Alen Ndreu dhe Devi Duro, ndërsa Jordi Jaku e nisi miqësoren si titullar dhe u zëvendësua.

311159280_10166817453010416_3760916786074416804_n

Nuk është më sekret që klubi dinamovit, përveç rikthimit në Superiore, ka si objektiv edhe lançimin e lojtarëve të rinj. Aq më tepër pas rastit të portierit Simon Simoni, i cili tashmë merret si pikë referimi te Dinamo. Portieri 18-vjeçar u shit tek Eintraht Frankfurt për 600 mijë euro, një lëvizje e bujshme për një ekip të Kategorisë së Parë. Rasti i Simonit duket se i ka ‘ëmbëlsuar’ blutë, të cilët kërkojnë që ai të mos mbetet i izoluar. Jaku dhe Duro janë dy nga të rinjtë e tjerë që mund të sjellin të ardhura të tjera në arkën e Dinamos, pasi për ta ka kërkesa nga klube të huaja.

TË RINJ DHE NË MERKATO Joshja që ka krijuar rasti i Simonit vihet re edhe në lëvizjet që Dinamo po bën në merkato. Edhe pse është folur për blerje lojtarësh që do të jenë edhe për sezonin e ardhshëm në Superiore, konkretisht për 4 goditje me peshë, sërish ata që i janë bashkuar skuadrës deri tani janë të rinj në moshë. Sulmuesi Alen Ndreu është vetëm 18 vjeç dhe fakti që ka ardhur nga Italia te Dinamo tregon se ai e sheh këtë skuadër si një trampolinë të mirë për të ardhmen. Ai është një lojtar me parametra të mirë fizikë dhe me arritjen e gjendjes optimale mund të ndihmojë skuadrën dhe t’i shtojë pikët vetes për tregun e huaj.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Amarildo Gjonin, sulmuesin 23-vjeçar që ka arritur akordin me blutë. Ndoshta edhe Gjoni e sheh Dinamon se skuadrën ideale për të shpërthyer dhe për t’ia hapur rrugën vetes për të kaluar më pas në një nivel më të lartë. Klubi kryeqytetas ndërkohë do të kishte leverdinë e vet, pasi do të përfitonte financiarisht. Edhe afrimi i tretë i Dinamos deri tani, mbrojtësi Realf Zhivanaj, është i ri në moshë, 24 vjeç. Blutë po investojnë te kjo kategori lojtarësh, por kuptohet që për Superioren duhen edhe afrime me eksperiencë.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"