Dinamo hap dyert për 3 pikë, Kastrioti kërkon kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 8:59

Dinamo hap dyert për 3 pikë, Kastrioti kërkon kreun

BLUTË – Dinamo ka një përballje mjaft të vështirë kundër Kastriotit sot në Pezë, ora 13:00. Edhe pse blutë kanë grumbulluar vetëm 1 pikë në 6 ndeshje, ata e kërkojnë me çdo kusht fitoren. Drejtuesit e rinj italian as nuk do ta diskutojnë mbijetesën.

Dinamo

Por, misioni mbijetesë nis pikërisht nga ndeshja e sotme. Trajneri Manzoni ka punuar me gjithë skuadrën që ka në dispozicion, mes tyre edhe Ismailaj, i cili pësoi një çarje në vetull dy ditë më parë në stërvitje. Drejtuesit kanë marrë masa për këtë takim, së pari duke hapur dyert për tifozët. Pra, hyrja do të jetë pa bileta në kompleksin e Pezës.

Para ndeshjes me krutanët asnjë prej lojtarëve apo drejtuesit blu nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat për shkak të rëndësisë që ka kjo ndeshje për ekipin. Gjithsesi, dinamovitët janë në një situatë të vështirë dhe vetëm fitorja mund t’i kënaqë, edhe pse dihet që përballë kanë një ekip i cili pretendon ngjitjen në Kategorinë Superiore. Manzoni është i bindur se të besuarit e tij do të marrin tri pikë sot.

KRUTANËT – Kastrioti u ka dhënë dje dorën e fundit përgatitjeve për përballjen me Dinamon. Në kampin e krutanëve, gjatë kësaj jave atmosfera ka qenë e qetë dhe është punuar me impenjim maksimal, ku pavarësisht gjendjes jo të mirë të kundërshtarit, i cili renditet në vendin e fundit, krutanët e kanë vlerësuar maksimalisht Dinamon dhe sot do të tentojnë të marrin maksimumin e pikëve.

Trajneri Ramazan Ndreu, në një deklaratë për gazetën, do ta cilësonte të vështirë përballjen e sotme. “Është një ndeshje mjaft e vështirë, ashtu si çdo tjetër e këtij kampionati, por ndaj Dinamos, duke qenë se këta të fundit janë dhe i kanë të domosdoshme pikët, është edhe më e vështirë. Megjithatë, ne jemi në një gjendje të mirë dhe futbollistët do të japin maksimumin për të marrë këtë fitore, e cila do të na sistemonte afër kreut. Kemi dy rikthime të rëndësishme, të Çelës dhe Karakaçit, dhe kjo na bën mirë, duke na shërbyer për të rritur cilësinë dhe konkurrencën”, përfundoi për “Panorama Sport” kreu i pankinës krutane.

S.Sulozeqi / B.Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"