Dinamo godet në merkato, akord me mbrojtësin Ervis Kaja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2017 | 20:39

Dinamo godet në merkato, akord me mbrojtësin Ervis Kaja

Dinamo e sezonit të ardhshëm është duke marrë formë dhe krahas lojtarëve të rinj që janë në provë, drejtuesit janë duke menduar edhe për merkaton. Emri më i fundit që ka dalë në skenë në kampin dinamovit është ai i Ervis Kajës, mbrojtësit që ka luajtur më së fundmi me Korabin, por ka provuar të veshë edhe fanellën e Apolonisë dhe Tiranës.

kaja

Mësohet se 30-vjeçari ka pasur një bisedë me administratorin Ismet Saliaj dhe pritet që javën e ardhshme të firmosë edhe kontratën për t’u bërë zyrtarisht pjesë e ekipit. Lojtari kavajas është një njohje e vjetër e Dinamos, pasi ka qenë pjesë e saj para disa viteve kur skuadra ishte ende në Superiore.

Emri i Kajës jep siguri në prapavijë, ndërkohë që trajneri Allmuça nuk do të ndalet deri në konsolidimin e plotë të ekipit. Dy ditë më parë drejtuesit kanë mundur të sigurojnë edhe shërbimet e sulmuesit Çota. Ndërsa me skuadrën, krahas të rinjve në seancat stërvitore, kanë dalë edhe emra si Roland Peqini, Erxhan Muça dhe Bazion Traga, të cilëve u është ofruar rinovimi edhe për sezonin e ri.

MIQËSORJA

Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik, trajneri i Dinamos ka planifikuar të luajë një miqësore mesjavën e ardhshme. Kundërshtari i bluve do të jetë ekipi që është pjesë e Superiores, Laçi, dhe në këtë ndeshje trajneri do të shohë nga afër gjendjen e skuadrës së tij. Takimi do të luhet në ambientet e kompleksit stërvitor në Kamzë.

Gjatë saj trajneri do të aktivizojë disa lojtarë të rinj që ka në dispozicion, për të vendosur më pas nëse ata do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit apo jo. Së bashku me ndihmësin e tij, Julian Brahjen, tekniku është duke zhvilluar seleksionime me futbollistë që janë pretendentë për të qenë pjesë e skuadrës sezonin e ri. Dinamo ka treguar një lojë të mirë në miqësoren e luajtur të mërkurën e kësaj jave ndaj Tiranës, të cilën arriti ta fitonte me rezultat minimal.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"