Dinamo ëndërron Superioren, trajneri Allmuça: Kemi marrë garanci për financat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2019 | 20:15

Dinamo ëndërron Superioren, trajneri Allmuça: Kemi marrë garanci për financat

Dinamo ka pasur shumë zhvillime gjatë këtyre ditëve në të dyja kahet, për mirë dhe për keq.

Dinamo

Sezoni që shkoi ishte model për kryeqytetasit, pasi gjetën “parajsën” financiare dhe çdo gjë shkoi mirë, duke nisur nga pagesat, stërvitja, grumbullimet, udhëtimet, baza materiale etj. Ditë më parë u larguan nga klubi blu sponsorët, vëllezërit Nuri, duke bërë që më pas të largoheshin edhe drejtori teknik Artan Mërgjyshi dhe disa lojtarë. Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar dhe blutë kanë siguruar financat. Një erë e re po fryn për Dinamon dhe këtë e konfirmon trajneri Igli Allmuça, i cili në një prononcim për gazetën zbulon planet për sezonin e ardhshëm.

“Dinamo po rikthehet në mënyrën më të mirë të mundshme. Po organizohemi për sezonin e ri, kemi plane konkrete dhe po hedhim hapa të sigurt. Të hënën do të nisim stërvitjen, ndërkohë që janë kontaktuar futbollistët dhe u është dhënë një plan individual stërvitjeje. Janë larguar nga Dinamo 3 futbollistë, Çema, Sheta dhe Vrapi, të cilëve u urojmë suksese. Gjithë pjesa tjetër do të jenë me Dinamon në vazhdim dhe jo vetëm kaq, pasi do të ndërhyjmë në merkato. Për momentin nuk mund të flas me emra konkretë”, shprehet plot entuziazëm trajneri i Dinamos.

Allmuça ka hedhur edhe më tej një tezë tjetër. Ai thotë se Dinamo është e gatshme të marrë pjesë në Superiore që këtë sezon, nëse i jepet mundësia për të zëvendësuar ndonjë nga ekipet që ka probleme me borxhet. Sipas tij, pas garancisë së marrë nga administratori Saliaj, Dinamo është gati të marrë përgjegjësi. “Pas një bisede me administratorin e Dinamos, Ismet Saliaj, kemi marrë garanci për të ardhmen. Financat do të jenë të sigurta dhe plani ynë është gati. Madje, mund të them se Dinamo është gati të marrë pjesë edhe në Superligë nëse, siç po përflitet, klubet e Superiores që kanë borxhe mund të përjashtohen. Jemi gati në çdo aspekt të marrim përgjegjësi dhe të kontribuojmë në elitë”, përfundon trajneri kryeqytetas, Igli Allmuça. Nëse në Superiore hapet një vend, do t’i takonte Dinamos ose Besës të ngjiteshin, pasi janë këto dy skuadrat e vendeve të dyta në Kategorinë e Parë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"