“Dinamo e vërtetë nuk ka ardhur akoma”/ Edmond Dalipi, zv.trajneri që dikur shkëlqente në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 22:45

“Dinamo e vërtetë nuk ka ardhur akoma”/ Edmond Dalipi, zv.trajneri që dikur shkëlqente në fushë

Sezoni ka nisur mirë për Dinamon, me 4 pikë në dy ndeshje. Ndoshta niveli i lojës nuk është ai që duan të gjithë, por në një fillim kampionati kjo është diçka normale. Ky është edhe gjykimi i një dinamoviti të vjetër, si Edmond Dalipi, i rikthyer te blutë për të qenë pjesë e stafit të trajnerit Nevil Dede. Vite më parë ishin kundërshtarë në fushë, tani duan të arrijnë majat me blutë si trajnerë. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, zv.trajneri komenton fillimisht fitoren e Orikut dhe barazimin me Skënderbeun:

DINAMO

“Mendimi im është se jemi në rrugën e duhur. Dinamo i ka të gjitha kushtet për të qenë në krye të Kategorisë së Parë dhe besoj se kështu do të ndodhë. Kemi fituar ndeshjen me Orikun dhe barazuam në Korçë, ku besoj se meritonim më shumë, sepse rastet i patëm në pjesën e dytë. Fillimet e kampionateve zakonisht janë të tilla dhe do të thosha se Dinamoja e vërtetë nuk ka ardhur akoma. E kam fjalën për skuadrën që të bindë në rezultate dhe në lojë. Patjetër do të përmirësohemi në vazhdim”.

RIVALITETI – Ai ndalet edhe te rivaliteti, ndërsa evidenton se koha e emrave “big” ka ikur. “Ka shumë emra në këtë kategori, por mendoj se ajo koha e emrave të mëdhenj ka ikur. Shembullin më te mirë na e jep Superiorja. Janë dy skuadra të ngjitura nga Kategoria e Parë, që janë në vendet e para. Futbolli sot është punë, impenjim, sakrificë, përqendrim dhe një grup sa më i konsoliduar lojtarësh. Te Dinamo po punohet mirë në këto drejtime, ndaj besoj se do të arrijmë objektivat”, tha Dalipi.

APELI – Numri dy i stolit ka bindje të plotë se do të ngjiten në Superiore, por apeli i tij është për t’u fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. “Do të ishte gabim i madh, nëse do të mendojmë që tani se jemi në Superiore, edhe pse besimi është në nivele të larta.

Përqendrimi ynë në këtë moment duhet të jetë vetëm te ndeshja me Burrelin, ku duhet dhënë maksimumi për të marrë fitoren. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë dhe duhet që skuadra të jetë serioze në fushë për të ecur me ritmin e fitoreve dhe për të siguruar sa më parë Superioren. Por ndeshjet, e përsëris, duhen marrë me radhë. Dinamo e ka vendin në elitën e futbollit shqiptar, pa diskutim”, ka përfunduar ishmesfushori i Dinamos dhe Kombëtares shqiptare, Edmond Dalipi.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"