Dinamo e Turbina akuzojnë Pogradecin dhe Luftëtarin për ryshfet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2016 | 15:13

Dinamo e Turbina akuzojnë Pogradecin dhe Luftëtarin për ryshfet

Kampionati i Kategorisë së Parë del nga kontrolli. Në vetëm dy ditë kanë shpërthyer akuza të drejtpërdrejta për ryshfet dhe tentativë të hapur për trukim të ndeshjeve. Minimalisht katër klube janë përfshirë në akuza të drejtpërdrejta për blerje lojtarësh apo gjyqtarësh.DinamoLuftëtari ishte i pari që hodhi dyshime për ryshfet ndaj gjyqtarëve duke denoncuar nëpërmjet fotove drejtorin sportiv të Sopotit, Nesti Binishi, që qëndronte gjatë të gjithë takimit përpara dhe brenda dhomës së arbitrave në sfidën Turbina-Luftëtari.

Dje ka ardhur edhe akuza e cërrikasve ndaj drejtuesve gjirokastritë që kanë tentuar të korruptojnë katër lojtarë të Turbinës. Në këtë situatë, ka marrë zemër edhe Dinamo. Mbrojtësi Roland Peqini në emër të skuadrës ka akuzuar drejtpërdrejt drejtuesit e Pogradecit se kanë tentuar të korruptojnë me shuma parash pjesëtarë të stafit dhe futbollistë të skuadrës blu për të toleruar në sfidën e së mërkurës. Del në pah edhe një herë sistemi shumë i dobët në futbollin shqiptar.

Akuza – “Gjatë të gjithë periudhës së para ndeshjes, zyrtarë të ekipit të Pogradecit kanë marrë në telefon shumë prej lojtarëve të Dinamos, dhe u kanë kërkuar që në shkëmbim të parave t’i toleronim për ndeshjen. T’iu linim ta fitonin ata sfidën. Madje, kanë arritur që të marrin në telefon duke tentuar të korruptojnë edhe pjesëtarë të stafit tonë në mënyrë të tërthortë.

Kur kjo nuk u shkoi dot, pasi askush s’e pranoi këtë ofertë, e gjetën zgjidhjen me arbitrin Kridens Meta, i cili na masakroi në fushë. Ka dhënë 50 faulle kundër nesh. Nuk na dha penallti në rastin e Buzit që ishte flagrant. Dha penallti kundër nesh.

Për mua që prej 10 vitesh luaj në nivele të larta në futbollin shqiptar, është hera e parë që më ndodh që arbitri jep penallti kot, ndërsa jam i sigurt që unë kam prekur topin. Nëse del e kundërta, dal publikisht dhe i kërkoj të falur arbitrit dhe gjithë sportdashësve”, shprehet i indinjuar mbrojtësi Peqini.

“I uroj ekipet që duan të ngjiten në Superiore ta bëjnë me forcat e tyre dhe të luajnë ndershëm e jo të bëjnë atë që bëri Pogradeci me ne 4 javë para se të luhej ndeshja. Në emër të gjithë skuadrës i shpreh këto gjëra me bindje të plotë dhe të thellë se shumë duhet të ndryshojnë dhe institucionet kompetente të marrin masa. Provat i kanë në tryezë, vetëm të kenë dëshirën të japin drejtësi. Ne luajmë për fanellën e Dinamos dhe s’e shesim për para”, përfundon Peqini.

cerrikuTurbina në sulm: Luftëtari tentoi të blinte lojtarët

Pas akuzave dhe dyshimeve të klubit Luftëtari në lidhje me takimin ndaj Turbinës në Cërrik, dje ka ardhur edhe reagimi nga kampi cërrikas. Sipas klubit, katër futbollistë të Turbinës janë kontaktuar nga drejtues gjirokastritë përpara ndeshjes dhe u është ofruar një shumë e konsiderueshme parash në mënyrë që të tolerojnë gjatë lojës.

Sipas drejtorit sportiv të skuadrës cërrikase, Engjëll Belshi, është absurd pretendimi i gjirokastritëve që hedhin akuza për ryshfet, ndërkohë që sipas tij janë vetë ata që kanë tentuar trukimin e këtij takimi duke ofruar para për katër futbollistë decizivë të formacionit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Akuza “Më vjen keq që një ekipi si Luftëtari, që pretendon të bëhet pjesë e elitës së futbollit shqiptar, hedh akuza të pabaza karshi nesh që luftojmë për mbijetesë, por me dinjitet.

Në analizën që kemi bërë para takimit me Luftëtarin, presidenti Gentian Gjoka ka deklaruar para gjithë skuadrës se ka informacion që katër lojtarë decizivë të formacionit janë kontaktuar nga drejtues gjirokastrit në mënyrë që të tolerojnë ndeshjen në këmbim të ryshfetit. Lojtarët tanë e kanë refuzuar një gjë të tillë dhe për këtë presidenti Gjoka dhe klubi i ka falënderuar publikisht në sy të gjithë kolektivit të ekipit.

Është e turpshme që një skuadër e përkëdhelur nga FSHF-ja siç është Luftëtari, kryen manovra të tilla për të siguruar tri pikët në këtë takim”, u shpreh shumë i revoltuar drejtori sportiv i Turbinës, Engjëll Belshi.

Përjashtimi Ndërsa, sa i përket dhunës së shkaktuar nga portieri i dytë Xhenaldo Miza, klubi cërrikas distancohet nga ky veprim, madje ka marrë dhe vendimin për ta larguar portierin nga skuadra. “Episodi i dhunës nga portieri Miza është pa dyshim i dënueshëm dhe ne sigurisht që distancohemi nga ky veprim. Mund të them që klubi tashmë e ka larguar portierin Miza.

Ndërsa sa i përket pranisë së civilëve në këtë moment tensioni, nuk është aspak e vërtetë, pasi aty janë vetëm lojtarë dhe drejtues të të dy kampeve dhe asnjë civil tjetër. Rasti i Mizës është i dënueshëm, ndonëse unë nuk e kuptoj mediatizimin që i është bërë këtij episodi, pasi dhe vetë arbitri nuk ka marrë asnjë masë ndëshkimore ndaj tij. Gjithsesi, i uroj suksese Luftëtarit në rrugën e bukur të kalimit në Superiore”, e mbylli me ne nota ironie shefi i klubit, Engjëll Belshi.

Kronologjia/ Çfarë ka ndodhur në këto tri ditë

Të mërkurën – Java e 20-të e Grupit B të Kategorisë së Parë, e përcaktuar për të shtunën e kaluar, u shty për të mërkurën pas kërkesës së Luftëtarit dhe miratimit të FSHFsë. Në sfidën Turbina-Luftë- tari pati sherr ku vendësit dhunuan miqtë. Gjithashtu, edhe në ndeshjen Dinamo-Pogradeci pati shumë tension dhe përplasje. Blutë akuzuan hapur gjyqtarin Kridens Meta.

Të enjten – U zbulua video e sherrit në Cërrik ku dukeshin qartë aktet e dhunës së lojtarëve të Turbinës dhe civilëve ndaj miqve nga Gjirokastra. Gjithashtu, klubi bluzi denoncoi në FSHF një rast të dyshimtë ryshfeti ndaj gjyqtarëve. Klubi zotëron video dhe foto, të cilat ia ka vënë në dispozicion edhe gazetës, shihet drejtori teknik i Sopotit, Nesti Binishi, që qëndron brenda dhe jashtë dhomës së arbitrave në Cërrik.

Dje – Klubi cërrikas akuzoi drejtuesit e Luftëtarit se kanë tentuar të korruptojnë katër futbollistë cërrikas për të toleruar në sfidën e së mërkurës. Në një kohë që kanë pranuar faktin se Nesti Binishi ka qenë në stadium në ndeshjen e së mërkurës. Po dje ka ardhur edhe akuza tjetër për ryshfet. Kësaj radhe është Dinamo që akuzon drejtuesit e Pogradecit se kanë tentuar të blejnë sfidën e së mërkurës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"