Dinamo e re, zbulohen lojtarët e preferuar të trajnerit Rodolfo Vanoli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 22:49

Dinamo e re, zbulohen lojtarët e preferuar të trajnerit Rodolfo Vanoli

Dinamo ka edhe derbin me Tiranën dhe transfertën me Egnatian për të luajtur, por këto dy ndeshje nuk kanë më interes për blutë.

DINAMO

E gjithë vëmendja tashmë ka kaluar te skuadra e sezonit të ri. Sipas asaj që presidenti Adrian Bardhi deklaroi në numrin e djeshëm të gazetës, puna për Dinamon e re nis javën e ardhshme, por jo nga zeroja, si verën e kaluar.

Ai theksoi se projekti vazhdon me trajnerin aktual Rodolfo Vanoli dhe 11-12 lojtarë. Pyetja që lind natyrshëm në këtë moment është: cilët mund të jenë këta lojtarë?

Presidenti nuk përmendi emra, trajneri Vanoli e ka anashkaluar këtë pjesë kohët e fundit, por gazeta mëson se pjesa më e madhe e tyre janë lojtarë të rinj.

TË PREFERUARIT – Javët e fundit të kampionatit, edhe pse Dinamo ka një grup të madh lojtarësh, trajneri Vanoli është fokusuar thuajse te të njëjtët titullarë. Në këtë mënyrë a ka lënë të kuptohet se cilët janë ata lojtarë që ai dëshiron të qëndrojnë te Dinamo.

Pastaj, nëse qëndrojnë apo jo është çështje tjetër, sepse varet edhe nga vullneti i vetë lojtarëve, apo edhe nga ndonjë shitje e mundshme e tyre.

Nuk është sekret që në krye të listës së trajnerit italian qëndron mbrojtësi Alesio Mija. Me ardhjen e Vanolit, ky lojtar ka qenë i palëvizshëm në formacionin e bluve.

Ai u aktivizua nga minuta e parë në derbin e fazës së tretë me Tiranën dhe nuk lëvizi më. Më pas vijnë emra si, portieri Simon Simoni, mesfushori Devid Fejzulla, apo sulmuesi anësor Rimal Haxhiu.

Të tre kanë vlerësimin e trajnerit italian, por në rastin e tyre qëndrimi nuk mund të quhet i sigurt. Simoni, në radhë të parë ka kërkesa nga disa klube të huaja.

Nga titullarët, mes të preferuarve të trajnerit aktual për momentin janë Edis Maliqi dhe Eni Imami. Edhe në këtë rast duhet parë, nëse palët do të bien dakord të vazhdojnë në Kategorinë e Parë.

Aleksandër Isaevski, i cili vjen nga dëmtimi, mund të jetë një nga ata që mund të qëndrojnë. Lista paraprake e Dinamos së re pastaj shtohet me emrat e disa të rinjve premtues, si Kasmollari, Shala, Përloshi, Hidri, Laho. Për lojtarët me më shumë përvojë kuptohet që është e vështirë të luajnë në Kategorinë e Parë.

KËRKESAT – Edhe pse nuk është prononcuar asnjëherë publikisht për skuadrën e sezonit të ri, mund të kuptohet lehtë se trajneri Vanoli dëshiron t’i përforcojë të gjitha repartet.

Ai ka theksuar shpesh se skuadra aktuale ka limite, veçanërisht në sulm. Kështu, ndër kërkesat e para të tij është forcimi i sulmit. Gazeta mëson se ai kërkon patjetër edhe një mesfushor ‘playmaker’, një organizator të mirë. Mbrojtja po ashtu duhet forcuar me një lojtar qendre me kualitet.

TË HUAJT ME VALIXHE NË DUAR– Shanset më të mëdha për t’u larguar nga Dinamoja i kanë shumica e lojtarëve të huaj. Sofranak ka pasur probleme kohët e fundit, Denison nuk preferohet nga italiani.

Po ashtu, edhe të huaj të tjerë, si Çinedu, Diogo, Sidibe dhe ndonjë tjetër, janë me valixhe në duar. Disa prej tyre e kanë shprehur hapur dëshirën për t’u larguar nga Dinamoja në fund të sezonit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"