“Dinamo e pranueshme”, Meksi: Ndeshja ndaj Bylisit e rëndësishme, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 15:45

“Dinamo e pranueshme”, Meksi: Ndeshja ndaj Bylisit e rëndësishme, por…

Skënderbeu “peshkon” Dinamon e Kategorisë së Parë në Kupë, por për momentin në kampin korçar mendjen e kanë vetëm te kampionati. Transferta ndaj Bylisit të shtunën në Ballsh është jetike, për vetë faktin se ballshiotët janë rivalë direkt në luftën për mbijetesë dhe një hap fals do ta vështirësonte shumë qëndrimin në elitë. Kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi, në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur për ecurinë në kampionat, sfidën e radhës në Ballsh dhe gjithashtu shortin për çerekfinalen.

Jorgo Meksi

“Duke parë shortin, mund ta quajmë me fat, për faktin se kemi shmangur kundërshtarë shumë të fortë në letër dhe jemi vënë përballë një ekipi të Kategorisë së Parë, por që kërkon respekt, – tha fillimisht Meksi. – Kupa është një kompeticion ku ne duam të bëjmë mirë dhe, pse jo, të shkojmë deri në fund. Por, për momentin, nuk jemi duke e menduar shumë pasi deri në 17 mars ka ende kohë dhe ndeshje të tjera na presin. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Vllazninë dhe besoj se kjo është rruga e duhur për të ecur përpara, në mënyrë që të dalim nga këto vështirësi ku jemi zhytur.

Kemi bërë mirë në pjesën e parë të lojës, por nuk ka mjaftuar për të marr pikët e plota ndaj kryesuesve të kampionatit. Sigurisht, kjo jo shumë për meritë të kundërshtarit, por për faktin se nuk arritëm dot të shfrytëzonim rastet që na u paraqitën, por edhe mungesa e fatit normalisht që ndikoi. Trajneri na ka përgëzuar për këtë paraqitje, por nuk duhet ta lejojmë me kaq. Ndeshja e radhës është e vështirë dhe shumë e rëndësishme për ne, por jo një finale. Gjithsesi, duhet ta interpretojmë si të tillë me qëllim që të bëjmë një hap të rëndësishëm drejt objektivit që kemi. Luajmë përballë një rivali direkt dhe kjo i shton më shumë rëndësi këtij takimi”.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"