“Dinamo duhet respektuar”, kapiteni Meksi “SMS” bluve: Kemi më shumë cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2021 | 12:08

“Dinamo duhet respektuar”, kapiteni Meksi “SMS” bluve: Kemi më shumë cilësi

Skënderbeu ndodhet në një pozicion të vështirë në renditje dhe normalisht të gjitha shpresat janë të varura te mbijetesa në këtë sezon. Gjithsesi, me ndeshjen e Kupës te dera, e gjithë vëmendja shkon te kalimi në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Për këtë arsye ndeshja ndaj Dinamos shihet si një mundësi e mirë për të shpëtuar një sezon që është në fije të perit. I këtij mendimi është edhe kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi.

Jorgo Meksi

Për mbrojtësin ndeshja e Kupës ka një rëndësi të veçantë për Skënderbeun, pasi kalimi në Kupë mund të ndryshojë sezonin në kampin bardhekuq. Sipas Meksit, ndeshja e sotme kërkon impenjim maksimal pavarësisht pozitave të kundërshtarit, pasi specifika e këtij takimi është e veçantë dhe kërkon përqendrim total. “Tani jemi duke folur për një tjetër kapitull, pasi ndeshja e Kupës ka një rëndësi të veçantë për ne.

Vetë klubi e ka si objektiv sezonal Kupën, prandaj jemi të detyruar të bëjmë maksimumin. Jemi në një pozicion të vështirë dhe kemi shumë probleme për të kaluar, por Kupa është tjetër gjë.

Është kompeticion ndryshe dhe ka totalisht një tjetër specifikë. Fakti që luhet vetëm një takim të vendos para përgjegjësisë dhe të detyron të japësh maksimumin për të kaluar në fazën tjetër. Dinamo është një ekip që duhet respektuar dhe kërkon impenjim nga ana jonë. Pavarësisht se luan në Kategorinë e Parë dhe është duke bërë mirë këto kohë, nuk do të thotë që ka një nivel të dobët. Jemi gati për t’u përballur me ta dhe për të dhënë maksimumin. Kemi më shumë cilësi se Dinamo dhe këtë do ta tregojmë”, theksoi Meksi për “Panorama Sport”.

KAMPIONATI

Nga ana tjetër, kapiteni i Skënderbeut është ndalur për të komentuar edhe ndeshjen e radhës në kampionat. Situata në të cilën ndodhen kërkon impenjim maksimal dhe ndeshja ndaj Apolonisë është çelësi i kthesës për Skënderbeun sipas mbrojtësit të krahut. “Apolonia është kthesa jonë dhe finalja e sezonit.

Jemi të dënuar të fitojmë dhe do të bëjmë gjithçka për tri pikët. Është takim kyç për ne duke parë rezultatet e javës së fundit. I kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë dhe do të bëjmë më të mirën tonë. Do të tentojmë fitoren. Mund t’ia dalim dhe jam i bindur që do ia dalim”, përfundoi Meksi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"